Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka publikuar një reflektim mbi përplasjet mes brezave në Shqipëri, duke e krahasuar zhvillimin politik të vendit me historinë e njohur si “Sinodi i Kufomës”, ku një papë u gjykua edhe pas vdekjes.
Në një reagim në rrjetet sociale, Majko argumenton se historia shqiptare është karakterizuar nga shpërthime pakënaqësie të brezave të rinj kundër të vjetërve, të cilat kanë sjellë ndryshime të mëdha politike, por pa e shkëputur shoqërinë nga e kaluara.
Si shembuj, ai përmend Kongresin e Lushnjës, Kongresin e Përmetit dhe Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, duke vënë në dukje se këto momente historike u udhëhoqën nga figura të reja për kohën, si Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Azem Hajdari.
Sipas Majkos, këto lëvizje shënuan përmbysje të rendit ekzistues dhe sollën përkatësisht krijimin e monarkisë, vendosjen e diktaturës komuniste dhe më pas sistemin politik që ai e cilëson si partiokraci.
Socialisti ndalet edhe te periudha pas rënies së komunizmit, duke argumentuar se largimi i regjimit nuk u shoqërua me një përballje të plotë të shoqërisë me të kaluarën. Ai e lidh këtë proces me atë që e quan sindroma e “sinodit të kufomës”, ku e shkuara rikthehet vazhdimisht për t’u gjykuar dhe përdorur si justifikim për zhvillimet e së tashmes.
Në reagimin e tij, Majko kujton edhe zhvarrosjen e eshtrave të Enver Hoxhës nga Varrezat e Dëshmorëve në maj të vitit 1992, duke e cilësuar këtë veprim si simbolikë të përpjekjes së pushtetit të ri për të dëshmuar rrëzimin e së kaluarës komuniste.
Një tjetër shqetësim që ngre ish-deputeti lidhet me ndryshimin e shoqërisë në epokën teknologjike. Sipas tij, Shqipëria po shkon drejt një “republike teknologjike”, ndërsa politika nuk arrin të kuptojë gjuhën dhe aspiratat e brezit Z.
Majko e sheh keqkuptimin mes brezave si një nga arsyet kryesore të përsëritjes së përplasjeve politike dhe shoqërore në vend. Në përfundim, ai paralajmëron se modeli i “sinodit të kufomës” vazhdon të përsëritet nga çdo brez, duke shprehur shpresën që kjo histori të marrë fund.
“Në Shqipëri ‘sinodi i kufomës’ ripikturohet nga çdo brez!… Shpresoj që ky mallkim të marrë fund!”, përfundon reagimin e tij Majko.



