Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar një operacion në qytetin e Gramshit, ku janë sekuestruar mbi 700 gramë lëndë narkotike, kryesisht kokainë. Në kuadër të hetimeve janë arrestuar dy persona, një tjetër është ndaluar, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, në kuadër të një procedimi penal për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e disa shtetasve, në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë gjetur dhe sekuestruar 560 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 150 gramë Cannabis Sativa dhe 0.62 gramë të tjera kokainë.
Në vijim të operacionit, në pranga kanë përfunduar T.H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç, të dyshuar për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm të narkotikëve. Sipas AMP-së, të dy personat ndodheshin më parë nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë është ndaluar E.S., 46 vjeç, ndërsa A.J., 31 vjeç, është shpallur në kërkim.
Një tjetër element që e bën këtë çështje objekt hetimi është edhe dyshimi për përfshirjen e punonjësve të Policisë në veprimtarinë kriminale. AMP bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht nëse ka efektivë policie të përfshirë në këtë aktivitet.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka kryer veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i Kodit Penal, në qytetin e Gramshit.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë ushtruar kontrolle në banesat e disa shtetasve, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 150 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe 0.62 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale:
• U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve T. H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç, të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal. Ndaj të dy shtetasve ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
• Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, u bë ndalimi i shtetasit E.S., 46 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
• Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.J., 31 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së punonjësve të Policisë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur për të vijuar hetimet me profesionalizëm dhe pa asnjë kompromis ndaj paligjshmërisë, si dhe për të çuar përpara përgjegjësisë ligjore çdo punonjës të strukturave policore që përfshihet në veprimtari të kundërligjshme, pavarësisht funksionit apo detyrës që ushtron