Grupi Parlamentar i PD-së ka propozuar një ndryshim në rregulloren e Kuvendit, me anë të cilit iu kërkohet deputetëve të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo aplikacionet Sky ECC dhe Encro Chat.
“Hetimet kanë zbardhur komunikimet e një deputeti të Partisë Socialiste me grupe dhe eksponentë të krimit të organizuar.
Nga të dhënat e përftuara nga këto komunikime ka rezultuar se eksponentë të krimit të organizuar kanë ndërhyrë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste për të përcaktuar pozicionin e këtij deputeti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste dhe për të siguruar vota në bashkitë Durrës dhe Shijak, me qëllim zgjedhjen e tij.
Deputeti nga ana e tij ka siguruar të dhëna sekrete dhe ka ndërhyrë në organet e drejtësisë me qëllim favorizimin dhe moskapjen e eksponentëve të krimit të organizuar.
Këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik.
Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në dokumentin depozituar në Kuvend.

