Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër pas djegies së ambienteve të Gjykatës së Lartë dhe dëmtimeve në Gjykatën e Apelit gjatë protestave në kryeqytet. Në deklaratën e saj, Shoqata ngre shqetësime për mungesën e masave parandaluese nga Policia e Shtetit dhe kritikon gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar masat e sigurisë për protestuesit.
Gjyqtarët e cilësojnë zjarrvënien në Gjykatën e Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore si akte të papranueshme, që jo vetëm rrezikojnë sigurinë e personelit, por prekin edhe funksionimin e drejtësisë dhe të drejtat e qytetarëve.
Sipas Shoqatës, çdo pengesë në veprimtarinë e gjykatave mund të sjellë vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe vështirësi për qytetarët që presin zgjidhje ligjore. Ajo thekson se liria e shprehjes dhe e tubimit janë të drejta themelore, por nuk mund të justifikojnë dhunën ndaj institucioneve të drejtësisë.
Shoqata ngre shqetësimin për Policinë
Në reagim, Shoqata shpreh shqetësim për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë përgjegjësinë ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas gjyqtarëve, mbrojtja e institucioneve gjyqësore nuk mund të trajtohet si detyrë dytësore dhe kërkon planifikim e reagim efektiv nga autoritetet përgjegjëse.
“Garantimi i sigurisë së këtyre institucioneve nuk është çështje privilegjesh institucionale, por detyrim shtetëror ndaj qytetarëve dhe interesit publik”, thuhet në deklaratë.
Kritika ndaj gjuhës së kryeministrit
Një tjetër pikë e reagimit lidhet me deklaratat publike të Edi Ramës ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për masat e sigurisë ndaj protestuesve.
Shoqata vlerëson se kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e ligjshme, por nuk duhet të kthehet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo presion publik mbi vendimmarrjen e tyre.
Ajo paralajmëron se deklarata të tilla, kur vijnë nga drejtuesi i pushtetit ekzekutiv, rrezikojnë të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në pavarësinë e gjyqësorit dhe të dëmtojnë besimin e publikut te drejtësia.
Sipas Shoqatës, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i masave të sigurisë duhet të vlerësohen nga gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.
Kërkohet mbrojtje për gjykatat
Në përfundim, Shoqata u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe faktorëve politikë e publikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Ajo kërkon marrjen e menjëhershme të masave efektive për sigurinë e gjykatave dhe personelit, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës.
Shoqata shpreh mbështetjen për gjyqtarët që ushtrojnë funksionet e tyre me pavarësi, paanësi dhe integritet, duke theksuar se gjykatat e sigurta dhe të pavarura janë kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës.



