Në një periudhë kur çmimi i naftës vijon të rritet nga dita në ditë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se Shqipëria pritet të pajiset së shpejti me transport publik elektrik.
Gjatë një deklarate për mediat, ministri theksoi se projekti synon të modernizojë transportin urban në disa bashki të vendit, ndërsa bashkia e parë pilot pritet të nisë zbatimin brenda 3-mujorit të fundit të këtij viti.
“Një numër i konsiderueshëm bashkish do të jenë model, transporti do të jetë i bazuar në transport elektrik. Bashkia e parë që do të pilotohet do të jetë brenda 3-mujorit të fundit të këtij viti. Qeveria vendore do t’u vijë në ndihmë bashkive për të ofruar shërbimin në standardet e duhura”, deklaroi Demo.
Ministri komentoi gjithashtu edhe debatet politike lidhur me projektligjin “Paketa e Maleve”, pas akuzave të ngritura nga deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila pretendon se përmes këtij projektligji synohet tjetërsimi i pronave të shqiptarëve, veçanërisht në zonën bregdetare të Sarandë.
Në përgjigje të këtyre akuzave, Demo sqaroi se “Paketa e Maleve” fokusohet te zhvillimi ekonomik lokal, sidomos në zonat rurale, dhe nuk prek pronat private apo zonat urbane.
“Paketa e Maleve është për zhvillimin ekonomik lokal, sidomos rural. Nuk bëhet fjalë për zonat urbane dhe nuk përfshihen në asnjë rast pronat që janë në pronësi private. Kategoritë janë të përkufizuara. Bëhet fjalë për ata që kanë përdorur pronën për më shumë se 10 vite. Ky është një proces që i është dhënë bashkive për ta përdorur”, u shpreh ministri.



