Shqipëria ka përfituar deri më tani 49 milionë euro nga një total prej 200 milionë eurosh të akorduara për rajonin nga Komisioni Europian, në kuadër të mbështetjes financiare për axhendën e reformave.
Lajmi është bërë i ditur nga ekspertja e integrimit Krisela Haçkaj, e cila në një prononcim për Televizionin Publik theksoi se ky rezultat reflekton performancën e deritanishme të Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit.
“Në raportin e dytë që Shqipëria ka çuar në Komisionin Europian në janar të vitit 2026, kemi arritur të përthithim gati 49 milionë euro, pra rreth 25% e totalit të parashikuar në kuadër të detyrimeve të axhendës së reformave”, deklaroi Haçkaj.
Sipas saj, fondet e disbursuara lidhen kryesisht me përmirësimin e klimës së biznesit, që përbën edhe fushën me performancën më të lartë në kuadër të reformave.
Ajo shtoi se nga 12 masa reformuese, pesë lidhen me klimën e biznesit, ndërsa të tjera përfshijnë kapitalin njerëzor, tranzicionin dixhital, energjetik dhe axhendën e gjelbër, si dhe sundimin e ligjit.
“Gati 9 prej masave kontribuojnë drejtpërdrejt në përmbushjen e kapitujve të negociatave. Tani jemi në fazën e diskutimit të raportit të piketave të ndërmjetme, ndërsa paralelisht po punohet për përmbushjen e piketave përfundimtare”, u shpreh ajo.
Sipas ekspertes, agjenda e reformave po shërben si instrument për të përshpejtuar procesin e integrimit europian dhe për të rritur eficiencën e institucioneve përgjegjëse në përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE.



