Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, ndaj të cilëve janë marrë masa ndëshkimore për sjelljen në seancat plenare.
Balla i pyeti deputetët nëse kanë pasur paralajmërime apo vërejtje nga Partia Popullore Europiane lidhur me veprimet e tyre në Kuvend, duke e cilësuar këtë një çështje serioze për imazhin parlamentar të opozitës.
Gjatë diskutimeve, kreu i PS-së u ndal edhe te incidentet e seancës plenare të 18 dhjetorit, duke pyetur nëse deputetët kanë përdorur lëndë tymuese në sallë dhe nëse janë në dijeni të kuadrit ligjor që ndalon përdorimin e tyre. Ai përmendi Ligjin nr. 9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse dhe lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, që përcakton rregullat për prodhimin, përdorimin, kontrollin dhe asgjësimin e këtyre lëndëve.
Balla theksoi se qëllimi i ligjit është garantimi i sigurisë publike dhe vendosja e procedurave të qarta për administrimin e lëndëve piroteknike, duke shtuar se shkelja e tij përbën një cenim të rëndë të rendit institucional.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk mban mend të ketë marrë pjesë ndonjëherë në mbledhje të Byrosë së Kuvendit “me mendje”, duke nënvizuar se nga opozita pritej reflektim pas masave të marra, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Balla sqaroi gjithashtu se mbledhjet e Byrosë zhvillohen me dyer të mbyllura dhe se kush ka eksperiencë parlamentare është i njohur me këtë praktikë.



