KreuAktualitetPolitikaNga përgjimet te Ministri i Mbrojtjes/ Ahmetaj: Ajo që tha Nufi në...

Nga përgjimet te Ministri i Mbrojtjes/ Ahmetaj: Ajo që tha Nufi në Parlament është rrëfim penal

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është shfaqur sërish këtë të mërkurë nga arratia, pak pasi SPAK nisi verifikimet lidhur me deklaratat dhe audiopërgjimet që ai bëri publike përmes mediave.

Në një lidhje direkte për News 24, Ahmetaj përshëndeti lëvizjen e Prokurorisë së Posaçme dhe tha se shpreson që materialet e bëra publike prej tij të bien në duart e prokurorëve që, sipas tij, janë të pavarur nga çdo ndikim.

“Shpresoj që të bjerë në duar prokurorësh që janë jashtë kontrollit të kreut të organizatës. Çfarë do të dalë nuk e di. Unë shpresoj që prokurorë të ndershëm të SPAK të marrin në dorë edhe fjalimin e ministrit të Mbrojtjes, që në njohuritë e mia, edhe juridike, ajo që Ermal Nufi ka thënë në Parlament është rrëfim penal”, deklaroi Ahmetaj.

Ai iu referua deklaratave të ministrit të Mbrojtjes në Kuvend, duke ngritur pyetje mbi prodhimin dhe destinacionin e armëve që, sipas tij, lidhen me pretendimet e bëra në audiopërgjimet e publikuara.

“Sepse ka thënë ‘NE prodhojmë armë’. Kush ‘NE’? Shteti shqiptar. Sepse ku bëhet prodhimi i armëve? Kush e bën? Ku janë dërguar? Kush i ka dërguar armët? A janë të Shqipërisë apo marrëveshje larg syve të NATO-s?”, tha ish-zëvendëskryeministri.

Ahmetaj pretendoi gjithashtu se në përgjimet e publikuara prej tij flitet për trafik armësh nga vende që, sipas tij, janë nën embargo të Bashkimit Europian.

“Në ato përgjime flitet për trafik armësh nga vende të embarguara nga Bashkimi Europian”, u shpreh ai.

Në fund të intervistës, Ahmetaj tha se beteja e tij politike dhe personale do të vijojë.

“Do kemi kohë. Lufta ime vazhdon. Lufta ime për familjen time dhe Shqipërinë, vazhdon”, deklaroi ai.

“Më erdhi një dosje tjetër për AKSHI-n”

Gjatë intervistës, ish-zëvendëskryeministri foli edhe për informacione të tjera që, sipas tij, po i mbërrijnë nga burime të ndryshme.

Ahmetaj tha se vetëm dy ditë më parë, pas intervistës së tij të mëparshme, i ka ardhur një dosje që lidhet me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të cilën e cilësoi si “tmerr”.

“Ka shumë gjëra që vijnë në dritë të diellit. Janë qindra mijëra qytetarë që më dërgojnë. Vetëm pardje, pas intervistës, më erdhi një dosje tjetër për AKSHI. Edhe ajo tmerr”, tha Ahmetaj.

Ai pretendoi se informacione i vijnë edhe nga brenda institucioneve shtetërore.

“Edhe nga brenda Grupit Parlamentar më vjen informacion. Edhe nga brenda Shërbimeve Sekrete më vjen informacion. Edhe nga brenda Policisë më vjen informacion”, deklaroi ai.

Deklaratat e Ahmetajt vijnë në një kohë kur SPAK ka nisur verifikimin e materialeve të bëra publike prej tij, përfshirë audiopërgjimet dhe pretendimet për aktivitet të dyshuar në fushën e armëve. Në këtë fazë, bëhet fjalë për verifikime dhe jo për konfirmim nga organet e drejtësisë të akuzave të ngritura publikisht nga ish-zëvendëskryeministri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat