Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, aktualisht në statusin e të pandehurit në një proces të lidhur me hetimet e SPAK, ka depozituar në Gjykatën Administrative një kërkesë për transmetimin live të seancave gjyqësore.
Kërkesa lidhet me çështjen ku është i përfshirë si i paditur prej tij, prokurori që e ka hetuar Ols Dado, dhe synon që seancat të mos mbeten vetëm brenda sallës së gjykimit, por të transmetohen drejtpërdrejt për publikun përmes mediave ose një sinjali zyrtar.
Në dukje, argumenti i paraqitur mbështetet në parimin e publicitetit të gjykimit. Por në thelb, kërkesa hap një debat më të thellë institucional se a mundet një palë në proces të diktojë formën e ekspozimit publik të një gjykimi.
Në sistemin gjyqësor, transparenca nuk është absolute dhe as e njëanshme. Ajo balancohet me parime të tjera themelore, si ruajtja e integritetit të procesit, pavarësia e gjykatës dhe shmangia e spektakolarizimit të drejtësisë. Pikërisht këtu lind problemi kryesor. Kërkesa për “live” nuk është thjesht kërkesë për informim, por një përpjekje për të zhvendosur procesin nga sallat e gjykatës drejt opinionit publik në kohë reale.
Referimi i Gjykatës Kushtetuese si model, ndonëse i përdorur në argument, nuk është automatikisht i zbatueshëm për çdo çështje. Praktika e transmetimeve të kufizuara në gjykatat e larta nuk përbën standard të përgjithshëm për proceset ku diskrecioni gjyqësor mbetet vendimtar.
Fakti që kërkesa vjen nga një person që vetë ndodhet nën hetim dhe gjykim e shton edhe më shumë ndjeshmërinë institucionale të saj. Në këtë kontekst, ajo lexohet jo vetëm si kërkesë për transparencë, por edhe si test i kufijve të ndikimit të palëve në mënyrën se si zhvillohet dhe ekspozohet një proces gjyqësor.
Gjykata Administrative tani gjendet përballë një vendimi që shkon përtej rastit konkret. Nëse transparenca publike mund të shndërrohet në transmetim të detyrueshëm live, apo nëse drejtësia ruan të drejtën të vendosë vetë ritmin dhe format e saj të ekspozimit.



