Një valë e re mesazhesh mashtruese po qarkullon në telefonat e qytetarëve, duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave personale dhe përpjekje për mashtrim financiar.
Mesazhet, që pretendojnë se vijnë nga autoritete shtetërore, i informojnë qytetarët për gjoja shkelje rrugore dhe u kërkojnë pagesë të menjëhershme të një “gjobe”, shpesh me afate të shkurtra dhe paralajmërime për pasoja ligjore në rast vonese.
Sipas përmbajtjes së publikuar, qytetarëve u ofrohet edhe “ulje 50%” nëse kryejnë pagesën brenda 15 ditëve, ndërsa në disa raste pretendohet se mbeten vetëm 48 orë për të përfituar nga kjo zbritje. Mesazhet përmbajnë gjithashtu linke të dyshimta për kryerjen e pagesave online.
Gazetarja Anila Hoxha ka siguruar një nga mesazhet që u është dërguar qytetarëve, ku pretendohet regjistrimi i një shkeljeje për përdorim të pajisjes elektronike gjatë drejtimit të automjetit dhe kërkohet pagesa e menjëhershme e një gjobe.
Autorët e mesazheve përdorin formulime të ngjashme me komunikimet zyrtare, duke përfshirë numra reference dhe udhëzime për pagesa online ose në institucione fizike, me qëllim rritjen e besueshmërisë së mashtrimit.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe më herët, ku mijëra SMS mashtruese me pretendime të rreme për “postë” ose institucione të tjera kanë qarkulluar në telefonat e qytetarëve. Në një prej këtyre rasteve, autoritetet kanë ndërhyrë duke çuar në arrestimin e dy shtetasve të huaj të dyshuar për përfshirje në skema të tilla.
Ekspertët e sigurisë kibernetike i bëjnë thirrje qytetarëve të mos hapin linke të dyshimta, të mos japin të dhëna personale dhe të verifikojnë çdo njoftim të tillë vetëm përmes kanaleve zyrtare, duke theksuar se institucionet nuk kërkojnë pagesa përmes SMS-ve apo linkeve të pasigurta.



