Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka fshehur nga opinioni publik pjesëmarrjen e tij në një samit ndërkombëtar të mbajtur në Spanjë.
Në një deklaratë për mediat këtë të martë, Berisha u shpreh se Rama ka marrë pjesë në “Samitin Global për Demokracinë” në Barcelonë, por sipas tij, nuk e ka bërë publike këtë vizitë, duke e paraqitur vetëm si një takim bilateral me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez.
“Si mund të quhet një kryeministër që fluturon mijëra kilometra për një samit ndërkombëtar dhe nuk i tregon qytetarëve të vet? E mban sekret pjesëmarrjen në një ngjarje publike ndërkombëtare,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se samiti ku Rama ka marrë pjesë ka pasur pjesëmarrje nga kryeministra dhe presidentë nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, Afrikës dhe Evropës, duke e cilësuar ngjarjen si një forum të rëndësishëm global.
Berisha pretendoi gjithashtu se aktiviteti kishte “një frymë anti-amerikane”, duke shtuar se nuk ishte një samit pro-europian, siç është prezantuar në disa raste.
Në vijim të deklaratës së tij, kreu i opozitës ngriti pyetje mbi arsyet e mosdeklarimit publik të pjesëmarrjes, duke thënë se Rama ka qenë pjesë e panelit dhe e dokumentuar në aktivitet.
Sipas Berishës, mungesa e transparencës për këtë vizitë ngre pikëpyetje mbi mënyrën e komunikimit të qeverisë me publikun për aktivitetet ndërkombëtare të kryeministrit.



