back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuDrejtësiaEkspertët japin përgjigje për pyetjet e SPAK në çështjen ndaj Sonila Qatos

Ekspertët japin përgjigje për pyetjet e SPAK në çështjen ndaj Sonila Qatos

Nga Edmond Hoxhaj

Tre ekspertët e caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për kryerjen e ekspertimit të ri lidhur me punimet e rrugës së Arbërit të kryera nga shoqëria “Gjoka”, që janë përdorur si punime të ngjashme në garën për tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019, parashtruan të martën më 29 tetor përgjigjet e tyre për pyetjet e ngritura nga prokurori i çështjes, Elvin Gokaj.

Ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato dhe disa ish-vartës të saj akuzohen se favorizuan një shoqëri në hije në tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019, duke skualifikuar shoqërinë “Gjoka” bazuar në një ekspertim për punimet e kryera deri atëherë në Rrugën e Arbërit. Megjithatë, pas kallëzimit të kryer daj Qatos dhe vartësve të saj, “Gjoka” arriti të fitojë tenderin. Qato dhe të pandehurit e tjera i mohojnë akuzat dhe kërkojnë vendosjen para përgjegjësisë penale të shoqërisë “Gjoka”.

Ekspertimi i ri u krye pasi u vlerësua i pavlefshëm dhe i papërdorshëm një akt i kryer nga ekspertë të caktuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda në vitin 2019, pasi nga të pandehurit u ngritën pretendime se ekspertët e caktuar nga organi i akuzës kanë qenë të palicencuar dhe se një prej tyre ka qenë i dënuar për falsifikim. Fakti se një prej ekspertëve kishte qenë i dënuar u konstatua dhe nga gjykata që e vlerësoi aktin fillestar të papërdorshëm.

Ashtu si në seancën e 17 shtatorit, ekspertet deklaruan se punimet në tre tunelet e Rrugës së Arbërit kanë qenë të papërfunduara kur janë kolauduar sit ë tilla në vitin 2019.

Ato nuk i lexuan pyetjet e prokurorit, po paraqitën përgjigjet në mënyrë të përmbledhur duke nënvizuar se çdo pyetje gjente shpjegim. Ekspertet dhanë detaje për përqindjen e punimeve të kryera. Sipas tyre, “Gjoka” kishte kryer rreth 79.9% të punimeve, ndërkohë që edhe aktualisht nuk janë bërë të shfrytëzueshme tunelet pasi nuk janë kryer gjithë punimet. Ekspertet thanë se ka diferenca lidhur me konstatimet për punimet ndërtimore të kryera nga ARRSH dhe nga ekspertimi i mëparshëm i prokurorisë.

Prokuori Elvin Gokaj tha se dhe ky akt ekspertimi nuk sjell ndonjë gjë të re. Ai kërkoi kohë që të japë qëndrimin e tij lidhur me konstatimet e eksperteve.

Avokatët i cilësuan pa lidhje me çështjen pyetjet e akuzës për të krahasuar raportin e ARRSH-së me aktin e ekspertimit të mëparshëm të kërkuar nga prokuroria, duke argumentuar se ky akt tashmë është i papërdorshëm.

Ata theksuan se është e kuptueshme se punimet nuk kanë qenë të përfunduara në vitin 2019, përderisa vijojnë të jetë të pakryera totalisht edhe në 2024-ën. Sipas tyre, shoqëria “Gjoka” ka dorëzuar në procedurën e tenderit për tunelin e Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë një punim të ngjashëm të papërfunduar, duke tentuar përfitimin e fondeve publike përmes mashtrimit të ARRSH-së.

Prokurori Elvin Gokaj solli në vëmendje se ky akt ekspertimi nuk është prova e vetme në këtë process penal, por se janë edhe udhëtimet, email-et, dëshmitë, etj.

Gjatë seancës u bë me dije se shoqëria “Gjoka” konstruksion kishte kërkuar aktin e ekspertimit në SPAK, duke e siguruar atë, si dhe kishte kërkuar në gjykatë përjashtimin e ekspertëve duke pretenduar se nuk përmbushnin kriteret për kryerjen e një ekspertimi të tillë. Kërkesa e shoqërisë “Gjoka” u rrëzua nga gjykata, që vendosi shtyrjen e seancës për më datë 5 nëntor në orën 10:00, me qëllim dhënien kohë prokurorit për të përgatitur qëndrimin e tij kundrejt përgjigjeve të dhëna nga ekspertët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat