Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Euro vijon të humbasë vlerë përballë Lekut, duke zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye dje me 90.64 lekë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë kufirit të 90 lekëve.
Në bazë vjetore, kursi Euro-Lek ka rënë me 6.2%, ndërsa ritmet e zhvlerësimit janë më të lartat në tre vitet e fundit.
Sipas ekspertëve të tregut valutor, rënia lidhet kryesisht me rritjen e ofertës së euros në ekonomi, e nxitur nga flukset turistike dhe investimet e huaja, ndërsa kërkesa për monedhën europiane po dobësohet.
Në këtë tendencë po ndikojnë edhe ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve dhe bizneseve. Pas një periudhe të gjatë zhvlerësimi, besimi te euroja është dobësuar, ndërsa në tregun e pasurive të paluajtshme po vihet re një zhvendosje graduale e çmimeve drejt Lekut. Edhe kreditimi i individëve po orientohet gjithnjë e më shumë drejt monedhës vendase, duke ulur nevojën për blerjen e euros për shlyerjen e kësteve të kredive.
As protestat e javëve të fundit nuk kanë sjellë rritje të dukshme të kërkesës për euro, ndryshe nga periudha të mëparshme të pasigurisë politike dhe ekonomike, kur qytetarët mund të orientoheshin drejt valutës së huaj.
Të ardhurat nga shërbimet dhe investimet shtojnë ofertën e euros
Banka e Shqipërisë e lidh dobësimin e euros me zhvillimet në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente u ul me gati 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2018.
Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe e remitancave, ndërsa një tjetër faktor është shtimi i investimeve të huaja direkte.
Sipas të dhënave për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, investimet e huaja direkte arritën në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Banka e Shqipërisë blen 663.6 milionë euro në gjashtë muaj
Përballë presionit të vazhdueshëm mbi kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë ka shtuar ndërhyrjet në tregun valutor përmes blerjes së euros.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, banka qendrore bleu 524 milionë euro, një shifër 224% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bashkë me 139.6 milionë eurot e blera gjatë tremujorit të parë, vlera totale e blerjeve për gjashtëmujorin arriti në 663.6 milionë euro.
Këto ndërhyrje janë pjesë e një tendence të nisur në vitet e fundit. Gjatë periudhës 2024–2025, blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë kaluan dy miliardë euro. Vetëm në vitin 2025, banka qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro në tregun e brendshëm.
Pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, euroja vijon të humbasë terren ndaj Lekut, në një treg ku oferta e valutës mbetet e lartë dhe kërkesa nuk po arrin ta përthithë atë në të njëjtin ritëm.



