back to top
1.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetPolitikaGazmend Bardhi nuk i ndahet SPAK-ut/ Paralajmëron një tjetër kallëzim penal për...

Gazmend Bardhi nuk i ndahet SPAK-ut/ Paralajmëron një tjetër kallëzim penal për Ramën

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi paralajmëron një tjetër kallëzim penal në SPAK, ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Diasporës, Taulant Balla.

Shkak për këtë kallëzim është bërë pjesëmarrja e ambasadorëve në takimet e Ramës me diasporën.

Më tej Bardhi i kërkon Presidentit të Republikës të ndërhyjë menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin ambasador që në shkelje brutale të ligjit ka organizuar dhe merr pjesë në veprimtari politike të kryetarit të Partisë Socialiste dhe drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Deklarata e plotë:

Aktivitetet politike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës jashtë vendit gjatë kësaj kohe kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe një fenomen kriminal, atë të shkrirjes së shtetit me partinë. Kjo është aq evidente, saqë edhe Ambasadorët në SHBA, Kombet e Bashkuara, Itali, Gjermani, Greqi, Çeki, etj., në dhunim brutal të ligjit, marrin pjesë në aktivitete partiake me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, duke shpërdoruar funksionin, duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar (jo partisë) në botë, si dhe duke cënuar barazinë e palëve në zgjedhje.

Shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i Trupit Diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cënim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë. Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupë elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në Botë.

Sipas ligjit nr. 23/2015, Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, dhe PAANËSISË POLITIKE. Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore passjell shkarkimin nga detyra.

Në mënyrë të vazhdueshme OSBE-ODIHR ka rekomanduar ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për të krijuar avantazhe të konsiderueshme të partisë në pushtet në zgjedhje, si dhe ka rekomanduar që organet ligjzbatuese të veprojnë në kohë dhe me vendosmëri për të ndëshkuar këtë fenomen

I kërkoj Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj, si autoriteti kushtetues përgjegjës për dekretimin e Trupit Diplomatik të Shqipërisë kudo në botë, që të mbajë qëndrim publik për t’u distancuar nga aktiviteti i paligjshëm politik i Ambasadorëve dhe stafeve të Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën, në organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet partiake të Kryetarit apo Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Gjithashtu, me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji, Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë për që të ndërhyjë menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin Ambasador që në shkelje brutale të ligjit ka organizuar dhe merr pjesë në veprimtari politike të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Pa dyshim që ky është një KRIM që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal, sipas paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Përgjegjësi penale sipas ligjit kanë Kryeministri Edi Rama dhe Ministrit Taulant Balla për përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për zgjedhje, dhe Ambasadorët e stafet e tyre diplomatike, për pjesëmarrje në aktivitete politike. Për këtë qëllim, kam udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike.

Apeloj Presidentin e Republikës dhe Prokurorinë e Posaçme të përmbushin në kohë, pa hezitim, misionin e tyre kushtetues, sipas përgjegjësive, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës!

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat