Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dhënë masa disiplinore për disa magjistratë gjatë vitit 2025, duke vendosur vërejtje publike, pezullim nga detyra dhe mbyllje të procedimeve disiplinore.
Sipas raportit vjetor të KLGJ-së, Komisioni Disiplinor ka shqyrtuar gjatë vitit 2025 tre procedura disiplinore të reja dhe ka rivënë në lëvizje tetë procedura të mbartura nga vitet e mëparshme.
Një prej vendimeve më të rëndësishme është masa disiplinore “Pezullim nga detyra me të drejtën për të marrë pagën minimale sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, për një periudhë 6-mujore” ndaj magjistrates Arta Llazari. KLGJ konstatoi se ajo kishte vonuar në mënyrë të përsëritur caktimin e seancave gjyqësore dhe arsyetimin e vendimeve për një numër të konsiderueshëm çështjesh gjatë periudhës 2019-2023, duke cenuar afatet ligjore dhe të drejtën e palëve për një proces të rregullt gjyqësor.
Ndërkohë, ndaj magjistratit A.Xh. është vendosur masa disiplinore “Vërejtje publike” për shkelje që lidhen me sjelljen joetike në ushtrimin e detyrës. Nga ana tjetër, KLGJ rrëzoi kërkesën për masë disiplinore ndaj magjistratit A.P., duke vlerësuar se vonesat në dorëzimin e tre vendimeve të arsyetuara nuk përbënin shkelje disiplinore sipas ligjit, por do të merren në konsideratë në vlerësimin etik dhe profesional të tij.
Një tjetër “Vërejtje publike” është dhënë ndaj magjistratit B.Sh., i cili, në cilësinë e zëvendëskryetarit të gjykatës, rezultoi se kishte shkelur në mënyrë të përsëritur dispozitat ligjore dhe nënligjore që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatës, si dhe nuk kishte zbatuar një vendim të mëparshëm të KLGJ-së.
Sa i takon procedimeve disiplinore të pezulluara më herët, KLGJ vendosi vijimin e shqyrtimit të tyre pas rënies së shkaqeve të pezullimit. Megjithatë, për disa magjistratë, procedimet u mbyllën pa një vendim përfundimtar, pasi ata kishin humbur statusin e magjistratit për shkak të shkarkimit nga procesi i vettingut ose daljes në pension.
Bëhet fjalë për procedimet ndaj magjistratëve H.S., E.S., P.A., N.T., B.M., R.A., K.Dh. dhe Zh.P., të cilët nuk gëzonin më statusin e magjistratit në momentin e shqyrtimit të çështjeve nga KLGJ.



