Ka nisur zyrtarisht procesi për përzgjedhjen e operatorit që do të ofrojë shërbimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve në linjën Tiranë–Durrës–Rinas, duke shënuar një tjetër hap drejt rikthimit të trenit për udhëtarët pas dekadash mungese.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar thirrjen për shprehje interesi për kompani dhe konsorciume ndërkombëtare me eksperiencë në operimin e transportit hekurudhor, në kuadër të përgatitjes së kontratës së parë të shërbimit publik hekurudhor të pasagjerëve në Shqipëri. Thirrja është publikuar gjithashtu edhe në platformën e prokurimeve publike të Bashkimit Evropian.
Sipas dokumenteve të publikuara, paketa fillestare e shërbimit do të mbulojë korridorin Durrës–Tiranë–Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ndërsa në fazat e mëvonshme kontrata mund të zgjerohet edhe në drejtim të Hanit të Hotit dhe Pogradecit, në varësi të përfundimit të investimeve infrastrukturore.
Linja e elektrifikuar Tiranë–Durrës–Rinas pritet të përfundojë në tremujorin e tretë të vitit 2027 dhe do të jetë segmenti i parë ku do të ofrohet shërbimi i ri hekurudhor për pasagjerët.
Kontrata e shërbimit publik parashikohet të ketë një kohëzgjatje nga 10 deri në 15 vjet. Operatori që do të përzgjidhet do të mbajë përgjegjësi për sigurimin e trenave, vënien e tyre në funksion dhe mirëmbajtjen gjatë gjithë periudhës kontraktuale.
Në fazën fillestare parashikohen rreth 1.1 milion kilometra tren në vit, me 44 shërbime ditore në linjën Tiranë–Durrës dhe 74 shërbime në linjën Tiranë–Aeroport. Me zgjerimin e rrjetit drejt Hanit të Hotit dhe Pogradecit, operimi mund të arrijë deri në 4 milion kilometra tren në vit deri në vitin 2036.
Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 26 korrik 2026 për të paraqitur shprehjet e interesit, ndërsa tenderi për përzgjedhjen e operatorit pritet të hapet në tremujorin e katërt të këtij viti. Sipas planifikimeve aktuale, shërbimi i parë i transportit hekurudhor të pasagjerëve pritet të nisë në fund të vitit 2027.



