Prej ditësh, ka një debat nëse duhet të kryhet apo jo investimi në Zvërnec. Kam parë dhe ndjekur reagime dhe qëndrime nga më të ndryshmet, nga ata të cilët pretendojnë që këto janë mundësi unike dhe që duhen shfrytëzuar. Turizëm elitar, më shumë vende pune, më shumë para që injektohen në ekonomi, e kështu me radhë.
Dhe në anën tjetër argumente se kemi të bëjmë me një zonë të mbrojtur, ku cdo “kafshim” që mund t’i bëhet kësaj sipërfaqeje mund të sjellë pasoja të parikuperueshme në ekosistem.
Shtuar kësaj, odisenë e konflikteve pronësore dhe dritëhijet mbi ata të cilët do të investojnë.
Në këtë këndvështrim, pikëpyetja që shtrohet është:
Kush garanton që ky nuk mbetet “një investim ishull” që do të thotë pa ndërveprim me komunitetin, që funksionon brenda atyre mureve, apo “gardhit me gjemba” që kemi parë gjatë këtyre ditëve, që edhe fuqinë punëtore e merr nga vendet aziatike e kështu me radhë? (Gjithnjë nëse bëhet në harmoni me natyrën, gjë që ka pak gjasa të ndodhë)
“Nëse bie nga një ndërtesë 17 kate, në 16 prej tyre mendon që je duke fluturuar dhe vetëm kur i afrohesh tokës kupton, që ke prekur fundin” -thotë Thomas Friedman.
Në këto kushte, ne duhet të kuptojmë dëmim që po i bëjmë sot natyrës, dhe dëmin që po i bëhet Shqipërisë duke e trajtuar në jo pak raste si “plackë” me të cilin mund të kënaqim orekset, grykësinë e atyre që me një “kërcitje gishtash” marrin cfarë duan.
Kjo protestë nuk është vetëm për Zvërnecin, por një përgjigje ndaj babëzisë së pushtetit politik.
Zvërneci, ishte dhe është pika që derdhi gotën.
Qytetarët duan të ndjehen të përfaqësuar dhe jo të marrë peng.
Duan të dëgjohen dhe jo të shpërfillen.
Duan transparencë dhe jo mjegull. Duan të ndjejnë se i përkasin këtij vendi, dhe jo të trajtohen me egoizmin i një një njeriu që dukshëm i është trazuar gjumi, por nuk tutet dhe madje vazhdon të “kërcënojë” se sa të jetë ai, do të vijohet me projektin.
Qytetarët treguan se janë të lodhur, kanë humbur besimin tek politika, por kane rigjetur besimin dhe kanë kuptuar forcën, që kanë për ta ndryshuar këtë realitet.