KreuAktualitetKronikëMbajtën peng inspektorët e Tatimeve/ Arrestohen 5 punonjësit e Irfan Hysenbelliut

Mbajtën peng inspektorët e Tatimeve/ Arrestohen 5 punonjësit e Irfan Hysenbelliut

Administratori dhe katër punonjës të “Prestige Resort” në Golem janë arrestuar nga Policia e Kavajës, pasi dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur brenda ambienteve të resortit punonjës të Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët po ushtronin kontroll në kuadër të detyrës së tyre.

Në pranga kanë rënë administratori i resortit, Sajmir Ndrecaj, shefi i financës, Zaho Jaçaj, shefi i sigurisë, Artan Kasa, si dhe dy punonjësit e sigurisë, Hamid Sula dhe Bujar Agolli.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur një grup pune i Task Forcës së Tatimeve është paraqitur në “Prestige Resort”, në kuadër të një plani kontrollesh që përfshin disa subjekte private. Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, objekt i kontrollit ka qenë aktiviteti ekonomik i subjektit dhe verifikimi i dokumentacionit financiar, me fokus shlyerjen e detyrimeve financiare.

Punonjësit e Tatimeve janë shoqëruar në një ambient zyre nga drejtuesit e resortit, ku më pas dyshohet se janë mbyllur dhe janë mbajtur kundër vullnetit të tyre për rreth një orë. Në këto kushte, ata kanë njoftuar Policinë, e cila ka ndërhyrë duke u rikthyer lirinë.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë pesë personat, të dyshuar për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Sipas policisë, më 18 korrik 2026, të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në resort për ushtrimin e detyrës së tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat