Organizata e Energjisë Atomike e Iranit ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar këtë të shtunë (19 korrik) centralin bërthamor të Darkhovinit, i cili ndodhet ende në ndërtim e sipër në jugperëndim të vendit.
Sipas një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, objekti bërthamor është goditur me një numër raketash nga forcat amerikane. Autoritetet iraniane e kanë cilësuar sulmin si një “akt agresiv dhe mizor”, duke pretenduar se ai përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Forcat amerikane, në një akt agresiv dhe mizor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, sulmuan sot centralin bërthamor Darkhovin, i cili është në ndërtim e sipër, me një numër të caktuar raketash”, thuhet në deklaratën e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit.
Sipas informacioneve të publikuara më herët, ndërtimi i centralit bërthamor të Darkhovinit, i vendosur në provincën Khuzestan, kishte nisur në vitin 2022.
Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë bërë të ditur nëse sulmi ka shkaktuar dëme materiale apo viktima. Po ashtu, nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara lidhur me pretendimet e ngritura nga Teherani.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa mbeten për t’u sqaruar rrethanat dhe pasojat e mundshme të sulmit të raportuar ndaj objektit bërthamor iranian.



