Një shpërthim i fuqishëm gazi ka tronditur mëngjesin e së mërkurës zonën e Brrylit në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët dhe personat që ndodheshin në zonën përreth.
Ngjarja ndodhi në një pikë karburanti të vendosur mes dy pallateve, pranë banesave dhe bizneseve. Shpërthimi ishte i fortë dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në subjekt, i cili është shkatërruar pothuajse tërësisht.
Fatmirësisht, në momentet e para të shpërthimit nuk raportohet të ketë pasur qytetarë që po kalonin në trotuarin ngjitur me karburantin.
Forca e shpërthimit ishte e tillë që xhamat e thyer përfunduan edhe në pjesën tjetër të rrugës, deri në korsinë e biçikletave.
Tre punonjës të pikës së karburantit mbetën të plagosur. Ata u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe, sipas të dhënave të para, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet për shkakun
Policia dyshon se shpërthimi mund të ketë ardhur nga një bombol gazi, në momentin kur një automjet po furnizohej në karburant. Edhe automjeti që po furnizohej ka pësuar dëmtime dhe djegie në pjesën e pasme.
Por ende nuk ka një version përfundimtar për shkaqet e ngjarjes.
Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se shpërthimi mund të ketë ndodhur në zyrën ku qëndronin punonjësit e karburantit.
Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka përjashtuar mundësinë që shpërthimi të jetë shkaktuar nga depozitat e karburantit.
Sipas këtij institucioni, zjarri mund të ketë nisur nga një automjet brenda territorit të pikës së karburantit dhe më pas situata mund të jetë shoqëruar me shpërthim.
Administratori dhe drejtuesit merren në pyetje
Në kuadër të hetimeve, Policia ka shoqëruar administratorin, drejtuesin teknik dhe menaxherin e pikës së karburantit.
Në pyetje janë marrë gjithashtu punonjësit e subjektit, si edhe drejtuesi i automjetit që po furnizohej në momentin kur ndodhi shpërthimi.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe shkakun konkret që solli shpërthimin në pikën e karburantit.



