KreuAktualitetKronikëKuvendi nën tension/ Përplasje brenda sallës, vezë ndaj policisë dhe shoqërime jashtë...

Kuvendi nën tension/ Përplasje brenda sallës, vezë ndaj policisë dhe shoqërime jashtë Parlamentit

Sesioni i ri parlamentar nisi këtë të martë në një klimë të tensionuar politike, me debate brenda Kuvendit dhe protesta jashtë godinës. Përplasjet nisën që në orët e para të ditës dhe vijuan edhe pas përfundimit të seancës plenare.

Në qendër të debatit politik ishte edhe kriza e krijuar për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa opozita akuzoi mazhorancën për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Debati nisi që në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se nuk po respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Bardhi argumentoi se kriza tashmë ka prekur drejtpërdrejt funksionimin e gjykatave, pasi gjyqtarët dhe administrata nuk kanë marrë pagat e muajit gusht. Sipas tij, Kuvendi po e nis sesionin e ri duke mos zbatuar Kushtetutën.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, mbrojti qëndrimin e mazhorancës, duke deklaruar se Kuvendi e ka respektuar vendimin e Kushtetueses dhe se përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit.

“Përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit, jo e gjykatave”, ishte qëndrimi i Ballës.

Mazhoranca ka depozituar projektligjin për pagat e magjistratëve dhe ka njoftuar se ai do të diskutohet më 17 shtator. Opozita ka paralajmëruar se do të votojë kundër nismës.

Seanca plenare, opozita largohet nga salla

Në orën 17:00 nisi zyrtarisht sesioni i ri i Kuvendit. Seanca e parë kishte karakter kryesisht ceremonial, megjithatë pasi tensione politike.

Opozita braktisi sallën gjatë votimit për Evis Kushin, e cila u zgjodh nënkryetare e Kuvendit me 79 vota pro. Gjithashtu u votua edhe dekreti për emërimin e Klodiana Spahiut në postin e ministres së Shëndetësisë.

Seanca zgjati rreth një orë dhe më pas deputetët nisën të largohen nga godina. Por në atë moment, situata jashtë Kuvendit u tensionua më tej.

Protesta jashtë Kuvendit

Paralelisht me seancën plenare, jashtë Parlamentit vijoi protesta e qytetarëve, e cila ka hyrë në ditën e 101-të.

Policia kishte ngritur një perimetër të gjerë sigurie rreth godinës së Kuvendit, duke bllokuar disa prej akseve pranë Parlamentit dhe duke vendosur forca të shumta për të garantuar hyrjen dhe daljen e deputetëve.

Protestuesit kundërshtuan mazhorancën dhe kërkuan largimin e qeverisë, ndërsa situata u përshkallëzua kur disa prej tyre tentuan të kalonin perimetrin e sigurisë.

Policia shoqëroi fillimisht dy protestues, pasi sipas policisë ata nuk iu bindën urdhrave të efektivëve dhe tentuan t’i afroheshin hyrjeve të Parlamentit. Më pas tensionet u shtuan. Disa efektivë të FNSH-së u goditën me vezë nga protestuesit, ndërsa policia ndërhyri për të ruajtur perimetrin e sigurisë.

Përplasjet pas përfundimit të seancës

Situata u tensionua edhe më shumë pasi deputetët nisën të largoheshin nga Kuvendi.

Protestuesit i pritën deputetët me thirrje dhe protesta, ndërsa në disa raste pati përplasje me forcat e policisë që po siguronin daljen e tyre nga godina.

Sipas raportimeve, protestuesit përdorën vezë dhe sende të tjera në drejtim të automjeteve të deputetëve. Në një prej episodeve u bllokua edhe automjeti i deputetes socialiste Ilva Gjuzi, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Mes personave të shoqëruar nga policia ishte edhe Adriatik Lapaj, ndërsa tensionet vijuan edhe pas mbylljes zyrtare të seancës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat