KreuAktualitetPolitikaKokalari sulmon SPAK-un/ “Po e heton Ahmetajn përmes ‘strategut të Hasit’

Kokalari sulmon SPAK-un/ “Po e heton Ahmetajn përmes ‘strategut të Hasit’

Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me verifikimet e nisura nga SPAK pas intervistës së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në Syri TV, duke kritikuar mënyrën se si institucioni i drejtësisë po vepron ndaj materialeve të publikuara.

Kokalari ngre pyetjen nëse SPAK po e heton Arben Ahmetajn “nëpërmjet strategut të Hasit dhe Syri TV”, duke iu referuar gazetarit Çim Peka dhe televizionit ku u transmetua intervista e Ahmetajt.

Sipas saj, Ahmetaj u largua nga Shqipëria vetëm disa orë përpara se SPAK t’i kërkonte Kuvendit autorizimin për arrestimin e tij. Kokalari kritikon faktin që SPAK i është drejtuar televizionit për të kërkuar materialet e intervistës, në vend që, sipas saj, të trajtonte ndryshe rolin e medias në publikimin e deklaratave të Ahmetajt.

“Peka nuk është gazetar, por lojtar i drejtpërdrejtë i korrupsionit të palës tjetër”, shkruan Kokalari, duke shtuar se SPAK, sipas saj, “duke lejuar një gjë të tillë, tallet me veten dhe bie viktimë e nivelit intelektual, ose më saktë e mungesës së tij, të individëve si Peka”.

Në reagimin e saj, aktivistja ndalet edhe te statusi juridik i Ahmetajt. Ajo pretendon se ish-zëvendëskryeministri nuk është më deputet dhe për këtë arsye, sipas saj, SPAK nuk ka më nevojë për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij.

Kokalari kujton se në korrik 2023, kur SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Ahmetajt, ai ishte ende deputet dhe gëzonte imunitet parlamentar.

Një tjetër çështje që ngre ajo lidhet me procedurën e ekstradimit të Ahmetajt nga Zvicra.

“Autoritetet shqiptare pretendojnë se kërkesa zyrtare për ekstradimin e tij i është dërguar Zvicrës. Atëherë, SPAK duhet të bëjë transparente se çfarë përgjigjeje ka marrë nga autoritetet zvicerane, ku ka mbetur procedura e ekstradimit dhe përse Ahmetaj vazhdon të japë intervista nga Zvicra pa u ekzekutuar urdhri ndërkombëtar i arrestit”, shkruan Kokalari.

Reagimi vjen në një moment kur SPAK ka nisur verifikime pas deklaratave dhe materialeve të publikuara nga Ahmetaj në intervistën e tij, ndërsa hetimet dhe procedurat ndaj ish-zyrtarit vijojnë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat