Endokrinologu Gjuro Macut, është i mandatuari i ri për formimin e Qeverisë së Serbisë, sipas njoftimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç të dielën.
Vuçiç deklaroi se qeveria e re serbe do të zgjidhet më 18 prill. Mjeku Gjuro Macut ka përfunduar specializimin në endokrinologji dhe është shef i repartit për tumoret e sistemit endokrin në Klinikën e Endokrinologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë.
“Dr. Gjuro Macut, një njeri jashtëzakonisht i guximshëm, shumë i qetë i matur, tolerant, i durueshëm dhe ndoshta specialisti më i madh në fushën e endokrinologjisë nga Vjena deri në Stamboll”, tha ai.
Presidenti serb më herët ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e qeverisë së re, të cilat kanë filluar më 2 prill.
Opozita parlamentare kishte paralajmëruar më parë se nuk do të merrte pjesë në këto konsultime. Ata kishin propozuar formimin e një qeverie kalimtare, propozim që është refuzuar nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi.
Partitë opozitare e cilësuan zgjedhjen e një personaliteti jopolitik për postin e kryeministrit si “një truk të parëndësishëm të Vuçiç pasi siç vlerësojnë ata presidenti i Republikës do të vazhdojë të mbajë frenat e vendit dhe të përcaktojë politikën e qeverisë.