KreuAktualitetPolitika“Dorëzohet” Topçiu?/ Kryebashkiaku i Maliqit pranon bashkimin me Korçën

“Dorëzohet” Topçiu?/ Kryebashkiaku i Maliqit pranon bashkimin me Korçën

Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, ka reaguar për herë të parë lidhur me propozimin për bashkimin e Bashkisë së Maliqit me atë të Korçës, në kuadër të reformës së re territoriale.

Topçiu shprehet se ende nuk është e qartë se çfarë do të ndryshojë konkretisht nëse reforma miratohet dhe cilat do të jenë pasojat për qytetet, bashkitë dhe qytetarët.

Megjithatë, nga qëndrimi i tij duket se kundërshtimi nuk lidhet me vetë bashkimin me Korçën, por me mënyrën se si do të organizohet pushteti vendor dhe çfarë do të ndodhë me shërbimet, financat dhe investimet.

“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cila do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve”, u shpreh Topçiu.

Kryebashkiaku i Maliqit theksoi se reforma nuk mund të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës administrative. Sipas tij, bashkimi duhet të shoqërohet me ndryshime edhe në ligjin për pushtetin vendor, financat vendore dhe ndarjen e kompetencave.

Sa i përket rastit konkret të Maliqit, Topçiu konfirmoi se projektligji parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Korçës.

Ai sqaroi se në dokumentin e propozuar nuk përdoret koncepti i “shkrirjes”, por ai i “bashkimit”, duke nënvizuar se Maliqi do të vijojë të ketë strukturën e tij dhe njësitë administrative nuk do të kalojnë drejtpërdrejt nën varësinë e Korçës.

“Nocioni që materiali i vjen në projektligj nuk është shkrirje, por është bashkim. Projektligji i propozuar parashikon që Bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë Korçë”, tha ai.

Topçiu ka bërë të ditur gjithashtu se po përgatit një material ku do të paraqesë qëndrimet dhe shqetësimet e tij për reformën, të cilin synon t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.

Por në deklaratën e tij, kryebashkiaku duket se e zhvendos fokusin nga posti që mban vetë te ajo që reforma mund të sjellë për qytetarët.

Sipas tij, debati nuk duhet të kthehet në një çështje të mbijetesës së kryetarëve të bashkive apo të posteve politike.

“Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni, ky organizim si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie”, tha Topçiu.

Ai kërkon që reforma të gjykohet mbi bazën e rezultateve konkrete: nëse shërbimet do të jenë më pranë qytetarëve, nëse problemet do të zgjidhen më shpejt dhe nëse territori do të përfitojë më shumë investime.

“Por unë mendoj që duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve venë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë jo me këtë ritëm që ka ecur tani, po do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve”, u shpreh ai.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat