Drejtoria Antimafia e Distriktit të Barit ka ngritur alarmin për përhapjen dhe fuqizimin e mafies shqiptare në Evropë, një fenomen që sipas koordinatorit të DDA-së, Giuseppe Gatti, “është nënvlerësuar pjesërisht”. Sipas autoriteteve italiane, hetimet e fundit tregojnë se grupet kriminale shqiptare kanë arritur një nivel të lartë organizimi dhe ndikimi në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Rasti më i fundit që ka tronditur opinionin publik në Itali është vrasja e një parukieri italian 26-vjeçar në Barletta. Sipas hetimeve, ngjarja lidhej me një konflikt për një borxh prej 500 eurosh në tregtinë e drogës. Autoritetet italiane dyshojnë se urdhri për vrasjen u dha nga kreu i një klani shqiptar, Igli Kamberi, pasi viktima kishte vënë në dyshim fjalën dhe autoritetin e tij.
Prokurori Roberto Rossi deklaroi se organizatat kriminale shqiptare funksionojnë mbi kode të forta dhe të ngurta sjelljeje, ku aktet e dhunshme përdoren si mesazh për komunitetin kriminal. Sipas tij, logjika e Kanunit dhe lidhjet e forta familjare vazhdojnë të ndikojnë në strukturën e këtyre grupeve.
Zëvendësprokurori italian theksoi se grupet shqiptare fillimisht u vendosën në Itali përmes lidhjeve fisnore dhe konflikteve të vjetra, ndërsa më pas eksportuan modelet e tyre kriminale. Për vite me radhë, shqiptarët konsideroheshin nga autoritetet italiane si kriminelë të nivelit të ulët, të lidhur kryesisht me emigracionin e paligjshëm dhe prostitucionin, por sipas antimafias italiane, realiteti aktual është shumë më kompleks dhe më i rrezikshëm.
Hetimet në Barletta zbuluan se Igli Kamberi menaxhonte operacione të trafikut të drogës me vlerë miliona euro, ndërsa fitimet transferoheshin drejt Shqipërisë. Në dy operacione të zhvilluara në kufirin e Murriqanit dhe në Itali, autoritetet sekuestruan rreth 1 milion euro para cash.
Sipas hetuesve të DIA-s, transferimi i shumave të mëdha të parave drejt Shqipërisë lidhet me mundësinë më të lehtë për riinvestim të tyre. Komandanti i DIA-s në Bari, Giulio Leo, deklaroi gjithashtu se mafia shqiptare dallohet për përdorimin e avancuar të teknologjisë, si në menaxhimin e trafikut të drogës ashtu edhe në pastrimin dhe riinvestimin e parave të përfituara nga aktivitetet kriminale.



