back to top
32.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaRaporti i BE/ “17% e shqiptarëve ndihen të lodhur emocionalisht nga puna”

Raporti i BE/ “17% e shqiptarëve ndihen të lodhur emocionalisht nga puna”

Rreth 17% e punonjësve shqiptarë kanë deklaruar se ndihen “gjithmonë” ose “shumicën e kohës” të lodhur emocionalisht nga puna e tyre, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të rraskapitjes emocionale në Europë.

Të dhënat janë publikuar në raportin më të fundit të Komisionit Europian mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, një anketim që zhvillohet çdo pesë vite dhe që u publikua në muajin prill.

Sipas raportit, niveli i lodhjes emocionale në Shqipëri është mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila qëndron në 13%. Në rajon, situata paraqitet edhe më shqetësuese në Kosovë, ku 29% e punonjësve raportojnë se ndihen emocionalisht të rraskapitur gjithmonë ose shumicën e kohës. Pas saj renditen Mali i Zi me 26% dhe Maqedonia e Veriut me 21%, ndërsa Serbia është në nivele të ngjashme me Shqipërinë. Nivelin më të ulët në rajon e ka Bosnjë-Hercegovina me 13%.

Raporti evidenton se lodhja emocionale konsiderohet një nga simptomat kryesore të “burnout”-it, një gjendje e shkaktuar nga stresi dhe ngarkesa e zgjatur në punë. Në nivel europian, 3% e punonjësve raportojnë se ndihen gjithmonë emocionalisht të lodhur nga puna, ndërsa 10% shumicën e kohës.

Anketa tregon gjithashtu se gratë preken më shumë se burrat nga rraskapitja emocionale, me 15% kundrejt 12%. Sektorët më të prekur janë arsimi dhe shëndetësia, ndërsa teknikët dhe operatorët e impianteve rezultojnë ndër profesionet më të ekspozuara ndaj stresit emocional.

Ndërkohë, për sa i përket lodhjes fizike, Shqipëria paraqitet më mirë krahasuar me vendet e tjera të Europës. Vetëm 26% e punonjësve shqiptarë deklarojnë se ndihen të rraskapitur fizikisht gjithmonë ose shumicën e kohës, nivel më i ulët se mesatarja e BE-së prej 28%.

Në rajon, Mali i Zi kryeson me 38% të punonjësve që raportojnë lodhje fizike, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 35%, Kosova me 34% dhe Serbia me 30%.

Sipas anketës europiane, problemet më të zakonshme shëndetësore të raportuara nga punonjësit lidhen me dhimbjet muskulare në qafë, shpatulla dhe shpinë, të raportuara nga më shumë se gjysma e të anketuarve. Gjithashtu, 21% e punonjësve raportojnë ankth, ndërsa gratë rezultojnë më të prekura nga problemet shëndetësore në pothuajse të gjitha kategoritë.

Anketa Europiane për Kushtet e Punës 2024 u realizua përmes mbi 36 mijë intervistave ballë për ballë në 35 vende europiane dhe synon të ofrojë një panoramë të plotë mbi cilësinë e jetës dhe kushteve të punës në Europë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat