Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje nga vendngjarja në lidhje me zjarrin e përmasave të mëdha që përfshiu një kompleks pallatesh pranë zonës së QSUT-së në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, Hita bëri me dije se situata mbetet ende e paqartë dhe nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve apo të personave të prekur, pasi operacioni për shuarjen e flakëve dhe kontrollin e plotë të godinave vijon.
Sipas tij, në terren janë angazhuar të gjitha strukturat përkatëse, ndërsa forcat speciale RENEA kanë ndërhyrë për hapjen e dyerve të apartamenteve, me qëllim kontrollin dhe sigurimin e çdo ambienti brenda kompleksit.
“Ende nuk kemi një bilanc përfundimtar. Pasi të përfundojnë verifikimet dhe të vendoset situata nën kontroll, do të bëjmë publike të gjitha rezultatet,” u shpreh Hita.
Ai theksoi se jo të gjitha apartamentet janë kontrolluar deri më tani, për shkak të përmasave të zjarrit dhe vështirësive në ndërhyrje. Sipas tij, është e domosdoshme që fillimisht të neutralizohen flakët, për të mundësuar një inspektim të plotë dhe të sigurt në çdo hyrje të kompleksit.
Ndërkohë, disa punonjës të shërbimit zjarrfikës janë paraqitur në spital me djegie të lehta, por fatmirësisht pa pasoja të rënda për jetën.
Hita bëri të ditur se është realizuar koordinimi i të gjitha institucioneve të përfshira në operacion, ndërsa paralajmëroi edhe nisjen e një hetimi të thelluar për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
Autoritetet kanë nisur mbledhjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa të gjithë personat që mund të kenë dijeni për ngjarjen do të merren në pyetje si deklarues.
“Nëse rezulton se kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme, natyrisht që do të merren të gjitha masat ligjore,” theksoi drejtori i Policisë së Shtetit.



