Deputeti socialist Erion Braçe prej ditësh ka ngritur alarmin për skemat piramidale online që po zhvasin qytetarët shqiptarë, duke i futur ata në grackën e investimeve të rreme.
Por mbi këtë çështje ka reaguar edhe ish-deputeti demokrat, Myslim Murrizi, i cili ka hedhur akuza të forta ndaj autoriteteve, duke thënë se ato janë bërë “palë me mashtruesit ordiner online”.
Në një reagim të ashpër, Murrizi ka ironizuar edhe qëndrimet e Braçes, duke i quajtur “qurravitje nëpër Facebook”.
“Firmat e reja piramidale në sy të strukturave hajdute të shtetit. Njëlloj si call center-at që masakruan qytetarë nga e gjithë Europa, ndërsa shteti bënte roje duke marrë pjesën e vet. Tani kanë dalë këto firma mashtruese online si Xuexa, Txex, Grokr, Endi Internet, Luva Group apo lloj-lloj mostrash me emra fallco që çdo ditë rrjepin qytetarët”, shkruan Murrizi.
Sipas tij, këto kompani mashtruese kanë bërë reklama hapur pa asnjë frikë nga autoritetet, çka tregon, sipas Murrizit, bashkëpunimin e strukturave të shtetit me to.
“Kjo video tregon më së miri bashkëpunimin e strukturave të shtetit me mashtruesit ordiner online që u vjedhin para qytetarëve. Këto qurravitjet në FB na i kurseni, sikur nuk keni patur dijeni. Thirrjet ndaj strukturave të shtetit sikur jeni në opozitë mos na hapni barkun, se ustallarët kanë bërë reklama hapur pa pjerdhur për qeverinë e pjerdhur”, vijon më tej ai.
Skemat e mashtrimit online janë bërë shqetësim i madh muajt e fundit, teksa dhjetëra qytetarë pretendojnë se kanë humbur shuma të konsiderueshme parash.