KreuAktualitet“Në fund, iku”/ Nard Ndoka i drejtohet Ramës: Mos e humb edhe...

“Në fund, iku”/ Nard Ndoka i drejtohet Ramës: Mos e humb edhe këtë shans

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se historinë do ta gjykojë koha.

Ndoka e ka kthyer deklaratën e Ramës në një kritikë të gjatë ndaj qeverisjes së tij, duke vënë në pikëpyetje bilancin e 14 viteve të Ramës në drejtimin e qeverisë dhe 11 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Edvin, mos ki frikë nga historia, historia ka frikë të shkruajë për ty!”, shkruan Ndoka në reagimin e tij.

Sipas tij, pas një periudhe kaq të gjatë në pushtet, historia do të duhet të japë një vlerësim për atë që është bërë në vend dhe në kryeqytet.

Ndoka e nis kritikën e tij me problemet e infrastrukturës dhe shërbimeve publike në Tiranë. Ai përmend furnizimin me ujë, duke argumentuar se në disa zona të kryeqytetit qytetarët ende nuk kanë ujë 24 orë në ditë, ndërsa depozitat e ujit janë bërë pjesë e pandashme e pamjes së pallateve.

Ai kritikon gjithashtu gjendjen e ujërave të zeza dhe të Lanës, ndërsa sjell në vëmendje edhe premtimet për transportin publik.

“Tramvaji u premtua, por nuk erdhi kurrë. Metroja nuk erdhi, por stacioni i trenit iku bashkë me të, në Kamëz”, shkruan Ndoka.

Një tjetër problem që ai ngre është infrastruktura e rrjetit elektrik dhe internetit, duke kritikuar praninë e kabllove në fasada, rrugë dhe ballkone.

Sipas Ndokës, gjatë viteve të qeverisjes së Ramës janë bërë shumë premtime, aq sa sot, sipas tij, është më e lehtë të renditen ato që janë realizuar sesa ato që janë premtuar.

Por reagimi i tij nuk ndalet vetëm te problemet e qytetit.

Ndoka i referohet edhe hetimeve dhe çështjeve penale ndaj disa ish-funksionarëve të lartë të mazhorancës, duke përmendur ish-zëvendëskryeministra, ministra, deputetë dhe kryetarë bashkish.

“Historia nuk është vetëm historia e betonit, kullave dhe propagandës”, shkruan ai, duke e lidhur qeverisjen e Ramës edhe me skandalet dhe hetimet që kanë përfshirë figura të rëndësishme të mazhorancës.

Ndoka përmend gjithashtu çështjen e energjisë elektrike, prishjen e banesave dhe përplasjet e qytetarëve me institucionet, duke e paraqitur këtë si një tjetër pjesë të bilancit që, sipas tij, do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve.

Në reagimin e tij, kreu i demokristianëve ndalet edhe te mënyra se si është paraqitur Shqipëria në komunikimin publik të qeverisë.

Ai flet për kontrastin mes Shqipërisë që, sipas tij, shfaqet në ekranet televizive dhe asaj që përjetojnë qytetarët në përditshmëri.

Në fund, Ndoka i rikthehet deklaratës së Ramës për historinë, duke thënë se kryeministri nuk duhet të presë të ardhmen për të marrë një përgjigje.

“Ti prisje të të gjykonte historia, Edi. Por historia të bëri një rreng të vogël: gjyqi filloi para se të mbaronte mandati yt politik”, shkruan ai.

Ndoka pretendon se kritikat ndaj Ramës nuk vijnë vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga qytetarë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.

Në përfundim, ai i bën një thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit që të largohet nëse kjo kërkohet nga qytetarët, duke e mbyllur reagimin me një frazë të shkurtër: “Në fund, iku.”

“Mos e humb edhe këtë shans”, përfundon Nard Ndoka.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat