Prej ditës së sotme hyn në fuqi rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendos kufizime të reja për praninë dhe veprimtarinë e gazetarëve në këtë institucion.
Rregullorja ka shkaktuar kundërshtime të forta nga gazetarët, organizatat e medias dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të cilët kanë ngritur shqetësimin se masat e reja kufizojnë transparencën dhe të drejtën e publikut për t’u informuar mbi proceset gjyqësore.
Kjo është cilësuar si një masë e paprecedentë në 35 vitet e demokracisë, për shkak të kufizimeve që u vendosen mediave gjatë ushtrimit të detyrës së tyre brenda GJKKO-së.
Kryetari i komanduar i GJKKO-së, Erion Bani, ka vijuar me zbatimin e rregullores, pavarësisht kundërshtimeve të bëra publike nga gazetarët vendas, shoqatat e medias dhe organizata ndërkombëtare. Kritikët e saj e kanë konsideruar rregulloren në kundërshtim me parimet e lirisë së medias dhe të drejtës së informimit, duke e cilësuar ndër regjimet më kufizuese për mediat.
Një tjetër pikë e diskutueshme është mënyra se si është hartuar dhe miratuar rregullorja. Sipas kritikëve, procesi është zhvilluar pa një konsultim paraprak me përfaqësuesit e medias. Po ashtu, nuk është zhvilluar konsultim me përfaqësues të Dhomës së Avokatisë, edhe pse rregullat e reja prekin edhe punën e avokatëve.
Çfarë ndryshon për gazetarët?
Me rregulloren e re, gazetarët përballen me kufizime konkrete gjatë ndjekjes së proceseve gjyqësore.
Një prej tyre është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve për regjistrim audio. Ndërkohë, përdorimi i kamerave dhe prania e operatorëve të medias bëhen edhe më të vështira, veçanërisht në rastet kur numri i vendeve në sallën e gjyqit është i kufizuar.
Në situata kur nuk ka vende të mjaftueshme për të gjithë gazetarët, prania e tyre do të bëhet me rotacion.
Kjo do të thotë se jo të gjithë gazetarët që ndjekin një proces gjyqësor mund të kenë mundësi të jenë njëkohësisht në sallë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të garantohet mbulimi i plotë mediatik i proceseve.
Një ditë para hyrjes në fuqi të rregullores, GJKKO publikoi edhe një material informues për mënyrën e zbatimit të saj. Dokumenti është hartuar në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve dhe synon të shpjegojë rregullat e reja për mediat dhe palët që do të jenë të pranishme në gjykatë.
Megjithatë, për gazetarët dhe organizatat që e kanë kundërshtuar rregulloren, çështja kryesore mbetet transparenca e proceseve gjyqësore dhe mundësia që publiku të informohet drejtpërdrejt dhe në kohë për atë që ndodh në sallat e gjyqit.
Media luan një rol të rëndësishëm në përcjelljen e proceseve gjyqësore te publiku, veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat trajtohen nga GJKKO.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, gazetarët do të duhet të ushtrojnë profesionin e tyre brenda një kuadri më të kufizuar, ndërsa debati për balancën mes rregullit të brendshëm të gjykatës, sigurisë dhe transparencës publike pritet të vijojë.



