Gjatë procesit të plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025), përveç individëve me fëmijë në ngarkim që përfituan zbritje nga shpenzimet e njohura me ligj, rezultuan me tatim të mbipaguar edhe qytetarë të tjerë që nuk përfituan zbritje shpenzimesh.
Sipas të dhënave, kjo kategori është krijuar si pasojë e rillogaritjes së tatimit vjetor mbi të ardhurat, ku në disa raste tatimi i paguar gjatë vitit ka rezultuar më i lartë se detyrimi përfundimtar. Diferenca pozitive u jep të drejtë individëve të kërkojnë kompensim përmes sistemit e-Filing.
Një qytetare ka përfituar tashmë rimbursim në shumën 3,172 lekë pas aplikimit për kompensim të tatimit të mbipaguar, ndërsa Administrata Tatimore ka nisur procesin e shpërndarjes së këtyre pagesave për të gjitha kategoritë përfituese.
Për aplikim, qytetarët duhet të plotësojnë kërkesën në sistemin e-Filing dhe të ngarkojnë numrin e llogarisë bankare (IBAN) në format PDF. Sipas rregullave të përcaktuara, e drejta për të kërkuar kompensim nuk humbet për një periudhë deri në 5 vite, ndërsa shqyrtimi i kërkesave nga administrata tatimore zgjat deri në dy muaj.
Autoritetet tatimore sqarojnë se edhe individët pa fëmijë në ngarkim, por që rezultojnë me tatim të mbipaguar, kanë të drejtë të përfitojnë rimbursim pas rillogaritjes së DIVA-s.
Në total për vitin 2025 janë plotësuar 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, me një rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë. Rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim për shkak të zbritjeve për fëmijët nën moshën 18 vjeç, ndërsa fondi total i krijuar për rimbursim arrin në 1.4 miliardë lekë.
Deri tani, janë kërkuar rreth 670 milionë lekë nga qytetarët për t’u transferuar në llogaritë bankare.
Administrata Tatimore thekson se për të përfituar rimbursimin, qytetarët duhet të plotësojnë saktë të dhënat bankare dhe dokumentacionin përkatës, përfshirë certifikatën familjare dhe faturat e fiskalizuara në rastet e shpenzimeve arsimore.
Procesi i aplikimit vijon nëpërmjet platformës e-Filing, ndërsa udhëzimet zyrtare për deklarimin e të dhënave bankare janë publikuar nga administrata tatimore për të shmangur vonesat në rimbursim.



