back to top
30.5 C
Tirana
E martë, 26 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetReforma zgjedhore/ Gjiknuri: Proces gjithëpërfshirës me opozitën

Reforma zgjedhore/ Gjiknuri: Proces gjithëpërfshirës me opozitën

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në proceset zgjedhore dhe reformën elektorale, duke e cilësuar këtë si një nga kërkesat themelore në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë mbi rolin e shoqërisë civile në proceset zgjedhore, Gjiknuri u shpreh se miratimi i projektligjit për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile synon rritjen e standardeve demokratike dhe forcimin e transparencës në zgjedhje.

“Miratimi i projektligjit për shoqërinë civile në zgjedhje është futur si një nga kërkesat themelore për integrimin e Shqipërisë dhe roli i shoqërisë civile këtu është absolut për të sjellë eksperiencat e tyre, nga monitorimet në terren, boshllëqet që kanë konstatuar dhe puna jonë është ndërtuar duke i përfshirë të gjitha organizatat e shoqërisë civile në këtë proces”, deklaroi Gjiknuri.

Ai theksoi se reforma zgjedhore mbetet një proces politik, por nënvizoi se qasja e deritanishme ka qenë për një proces gjithëpërfshirës dhe me dakordësinë e opozitës.

“Ky është edhe një proces politik, pasi qasja jonë ka qenë që ligji të jetë me gjithëpërfshirje dhe dakordësinë e opozitës”, u shpreh ai.

Gjiknuri u ndal gjithashtu te çështja e transparencës së financimit të partive politike, duke theksuar se shumë subjekte politike përballen me vështirësi për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për të përmbushur standardet e kërkuara.

Sipas tij, rritja e transparencës kërkon sisteme më të avancuara, staf të specializuar dhe raportim të vazhdueshëm financiar nga partitë politike.

“Ka shumë parti që janë të dobëta nga pikëpamja e kapaciteteve njerëzore dhe e gjejnë problematike rritjen e një standardi edhe më të lartë kur flitet për transparencën e burimeve të financimit”, deklaroi Gjiknuri.

Ai shtoi se shoqëria civile do të vijojë të ketë rol aktiv në procesin e reformës zgjedhore dhe se opinionet e saj do të merren në konsideratë gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore.

“Shoqëria civile është e përfshirë dhe ne do t’i marrim në konsideratë opinionet e tyre. Eksperienca e tyre është e jashtëzakonshme në monitorimin e proceseve zgjedhore”, përfundoi Gjiknuri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat