KreuAktualitetPolitikaOpozita kërkon të hapë dosjen e armëve/ Në listë Rama, ministri i...

Opozita kërkon të hapë dosjen e armëve/ Në listë Rama, ministri i Mbrojtjes dhe krerët e institucioneve

Opozita kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore në lidhje me pretendimet për trafik ndërkombëtar të armëve.

Kërkesa, e firmosur nga 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Deputetët kërkojnë që përmes një hetimi parlamentar të verifikohet nëse institucionet përgjegjëse kanë vepruar në përputhje me ligjin për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e veprimtarive të paligjshme që lidhen me trafikun e armëve.

Në dokument kërkohet gjithashtu të vlerësohet nëse nga veprimet ose mosveprimet e institucioneve mund të ketë përgjegjësi politike, administrative apo institucionale.

Shkak për kërkesën janë bërë deklaratat dhe materialet audio të publikuara më 7 shtator në Syri TV nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Deputetët nënshkrues sqarojnë në kërkesë se deklaratat dhe materialet e publikuara nga Ahmetaj nuk konsiderohen prej tyre si fakte të provuara, por si të dhëna dhe indicie që duhet t’i nënshtrohen verifikimit përmes kontrollit parlamentar.

Sipas kërkesës, qëllimi i Komisionit do të jetë verifikimi i pretendimeve përmes dokumenteve zyrtare, dëshmive, të dhënave të institucioneve dhe kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë e strukturave shtetërore.

Çfarë kërkon opozita të hetojë?

Në fokus të Komisionit Hetimor propozohet të jetë mënyra se si janë kryer procedurat për importin, eksportin, tranzitin, transportin, magazinimin dhe transferimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Deputetët kërkojnë gjithashtu verifikimin e licencave dhe autorizimeve të lëshuara nga institucionet shtetërore, si dhe kontrolleve doganore, kufitare, portuale dhe aeroportuale.

Një tjetër element që kërkohet të verifikohet është nëse ka pasur komunikime, ndërhyrje, urdhra apo orientime nga funksionarë publikë që mund të kenë ndikuar në mënyrën se si institucionet kanë trajtuar çështje të dyshuara.

Po ashtu, kërkohet shqyrtimi i marrëdhënieve mes subjekteve private të përmendura në materialet e publikuara dhe institucioneve shtetërore.

Hetimi parlamentar propozohet të shtrihet në periudhën nga 1 janari 2024 deri më 7 shtator 2026, ndërsa Komisioni mund të shqyrtojë edhe dokumente që i përkasin një periudhe më të hershme, nëse ato lidhen me objektin e hetimit.

Kush pritet të thirret për dëshmi?

Opozita kërkon që para Komisionit të dëgjohen disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Në listën e propozuar janë kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Arben Kingji, drejtuesja e SHISH-it Vlora Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe drejtori i Përgjithshëm i KAYO-s, Ardi Veliu.

Gjithashtu kërkohet marrja e informacionit, dokumenteve dhe dëshmive nga strukturat përgjegjëse për industrinë e mbrojtjes, tregtimin e armëve, doganat, autoritetet portuale dhe aeroportuale, si dhe kontrollin kufitar.

Pjesë e dëshmive që kërkohen nga opozita është edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, si personi që bëri publike materialet audio dhe pretendimet që u shndërruan në shkakun kryesor të kërkesës për hetim parlamentar.

Kërkohet verifikimi i audiopërgjimeve

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, deputetët kërkojnë që Komisioni Hetimor të administrojë edhe materialet audio të publikuara më 7 shtator nga Ahmetaj.

Sipas dokumentit, duhet të verifikohet origjina e materialeve, koha dhe rrethanat e regjistrimit, integriteti teknik i audiove, identiteti i personave që dëgjohen dhe përputhja e përmbajtjes së tyre me dokumentacionin zyrtar.

Opozita thekson se Komisioni nuk do të ketë kompetencë për të përcaktuar përgjegjësi penale dhe nuk do të zëvendësojë Prokurorinë apo organet e tjera të drejtësisë.

Sipas kërkesës, objekti i hetimit duhet të mbetet kontrolli parlamentar mbi veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe përcaktimi i përgjegjësive eventuale politike, administrative dhe institucionale.

Pretendimet e Arben Ahmetajt

Argumentet e opozitës për ngritjen e Komisionit u bënë publike pas deklaratave të Arben Ahmetajt në një intervistë televizive më 7 shtator.

Ish-zëvendëskryeministri ngriti pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve dhe publikoi materiale audio, të cilat sipas tij lidhen me këtë veprimtari.

Në qendër të pretendimeve të Ahmetajt janë biznesmeni Ron Yeffet, kompania Timak Defense dhe ajo që ai e ka cilësuar si “koncepti KAYO”.

Ahmetaj pretendoi se armë me origjinë nga vende të Afrikës sillen në Shqipëri, paketohen dhe më pas dërgohen drejt vendeve të tjera. Sipas tij, ky qarkullim nuk bëhet në kuadër të marrëveshjeve zyrtare të Shqipërisë me NATO-n apo të furnizimit të Ukrainës dhe për këtë arsye ai e ka cilësuar si trafik ndërkombëtar armësh.

Një tjetër pjesë e pretendimeve lidhet me financimin e kompanive që operojnë në industrinë e mbrojtjes. Ahmetaj pretendoi se këto kompani kanë përfituar fonde publike përmes procedurave pa tender.

Ai u ndal konkretisht te Timak Defense, për të cilën ngriti pikëpyetje mbi paradhëniet e marra nga buxheti i shtetit dhe kapitalin e investuar nga aksionerët privatë.

Ish-zëvendëskryeministri përmendi gjithashtu një rast të sekuestrimit të raketave nga autoritetet italiane, për të cilat tha se vinin nga Greqia dhe se mund të kishin lidhje me Shqipërinë.

Tashmë kërkesa e firmosur nga 39 deputetë i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Hapi i radhës do të jetë shqyrtimi i saj në procedurat parlamentare, për të përcaktuar nëse do të ngrihet Komisioni Hetimor dhe në çfarë forme do të zhvillohet hetimi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat