Situata e krijuar me pagat e magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë ka qenë në fokus të një mbledhjeje të zhvilluar këtë të martë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Mbledhja është thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm dhe në të kanë marrë pjesë drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve.
Në qendër të diskutimeve ishte bllokimi i ekzekutimit të pagave të muajit gusht 2026 për magjistratët dhe punonjësit e administratës së sistemit të drejtësisë.
Gjatë takimit është diskutuar në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Sipas njoftimit pas mbledhjes, pjesëmarrësit kanë vlerësuar se situata kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe të qartë, në përputhje me ligjin dhe me standardin kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Në takim është theksuar gjithashtu nevoja për garantimin e vijimësisë normale të punës së institucioneve të drejtësisë, si dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në përfundim, është dakordësuar që çështja të vijojë të trajtohet përmes instrumenteve ligjore, me synim garantimin e pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.
Kush i ka marrë pagat e gushtit?
Nga institucionet e drejtësisë, mësohet se Gjykata Kushtetuese është ndër institucionet që ka marrë pagën e muajit gusht. Pagesat janë kryer sipas modelit të mëparshëm të pagave.
Ndërkohë, edhe në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pagat e muajit gusht janë ekzekutuar sipas formulës së vjetër.
Por situata për muajin shtator pritet të jetë ndryshe.
Kryetari i SPAK, Klodian Braho, ka zhvilluar sot një mbledhje me prokurorët e posaçëm, ku është diskutuar pikërisht mënyra se si do të përllogariten dhe kalojnë listëpagesat e muajit shtator.
Raportohet se në mbledhje është vendosur që listëpagesat e shtatorit për prokurorët e posaçëm dhe administratën e SPAK të përllogariten sipas formulës së re të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në shkurt të vitit 2026.
Kjo lëvizje pritet të jetë një tjetër zhvillim i rëndësishëm në përplasjen institucionale për pagat në drejtësi.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse institucionet e tjera të drejtësisë do të ndjekin të njëjtën rrugë dhe nëse çështja do të përfundojë në gjykatë përmes një padie civile.



