Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me pensionistët në Fier ka dhënë një lajm të mirë.
Ai tha se Shqipëria tashmë ka marrëveshje me 20 shtete për pensionet.
“Pensioni bazohet te sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat që financohet nga buxheti, pensioni sigurohet nga sigurimet shoqërore. Fondi i pensioneve bazohet te kapaciteti i sigurimeve shoqërore për ti përgjigjur nevojës së pensioneve. Për arsye të ndryshme historike kemi trashëguar një situatë të vështirë kur vjen puna te pensionet, ka pasur shumë shmangie nga sigurimet shoqërore.
Shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit. Ata kanë paguar atje sigurime shoqërore, por jo këtu dhe kjo ka qenë një trashëgimi. Në gjetëm vetëm një marrëveshje kur morëm detyrën, në Turqi. Sot që flasim kemi lidhur marrëveshje me mbi 20 shtete ku marrëveshja më e vështirë ishte ajo me Italinë.
Lidhja e marrëveshjes me Greqinë, për të cilën jemi në diskutime do kërkojë kohën e vet, jo për shkakun tonë, por për shkak se është një vendimmarrje e rëndësishme dhe ka peshë të caktuar financiare. Me Italinë u realizua dhe shpërblen punë e një numri shumë të madh shqiptarët që kanë dalë ose do dalin në pension në Itali“, është shprehur Rama.