back to top
23.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPërgjimi në komisariatin e Sarandës fundos nënkomisarin/ AMP e vë në pranga...

Përgjimi në komisariatin e Sarandës fundos nënkomisarin/ AMP e vë në pranga për korrupsion

Një përgjim ambiental i realizuar në ambientet e Komisariatit të Sarandës ka çuar në ndalimin e një efektivi policie, i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Në pranga ka rënë nënkomisari Edmond Ruçi, i ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Sarandës.

Sipas burimeve paraprake, pajisjet e përgjimit ishin vendosur me urdhër të Prokurorisë në dhomat e shoqërimit të komisariatit, ku po mbaheshin dy persona të arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për shtetasit K.D. dhe A.Z., të cilët u arrestuan në flagrancë pasi në automjetin që drejtohej nga A.Z. u gjetën dhe sekuestruan 24 doza të dyshuara me cannabis sativa. Hetimi ndaj tyre ishte regjistruar nga Prokuroria e Sarandës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal, prokurorët ngritën dyshime për përfshirje të oficerit të policisë gjyqësore Edmond Ruçi në veprime të kundraligjshme dhe korruptive.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, nga veprimet hetimore të kryera kanë rezultuar të dhëna që implikojnë efektivin në veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Pas mbledhjes së provave, Prokuroria urdhëroi ndalimin e oficerit, ndërsa ekzekutimi i masës u krye nga shërbimet e AMP-së.

Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë detaje mbi rolin e efektivit të ndaluar dhe lidhjet e mundshme me personat e arrestuar për narkotikë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat