back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 12 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëPërtej bluzeve të bardha ...!

Përtej bluzeve të bardha …!

Nga Elisa Dedja

Takova një mikun tim, një mjek i shquar këtu në Shqipëri. Biseda jonë ishte një pasqyrë e ndritshme mbi atë që ndodh përtej sipërfaqes së profesionit të tij, përtej përshkrimeve standarde dhe perceptimeve të publikut të gjerë. Jo çdo gjë që ndiejmë apo kuptojmë në publik është realiteti i plotë i mjekësisë – ka aq shumë që ne nuk e shohim, aq shumë që nuk i themi dot.

Një nga gjërat që vura re ishte sa e rëndë është ana psikologjike e punës së një mjeku. Ndërsa ne, si shoqëri, tronditemi nga një lajm mbi një sëmundje apo humbje, mjekët përballen çdo ditë me realitetin e dhimbshëm të pacientëve të tyre. Ata jo vetëm që dëgjojnë e shohin sëmundjet, por edhe për dhimbjet dhe vështirësitë personale e familjare të pacientëve. Përfytyroni barrën që ata mbartin – një barrë që, në mënyrë të paevitueshme, mund të kalojë tek jeta e tyre familjare dhe emocionale.

Mua më mjaftoi një bisedë e tillë për të kuptuar se sa e vështirë është kjo punë. Dola nga ai takim me një ndjesi të rënduar; sa më shumë e dëgjoja, aq më shumë ndihesha e ndikuar. Imagjinoni tani se çfarë do të thotë kjo për një mjek që e përjeton përditë, natë e ditë, edhe kur është në turnin rojes, kur lodhja dhe pagjumësia bëjnë pjesën e tyre të errët.

E gjitha kjo pastaj përkeqësohet nga paragjykimet që përballojnë. Është e vërtetë, ka mjekë që kërkojnë para dhe që e kanë kthyer atë në një praktikë të zakonshme. Por mendoj se kjo është një pasojë e viteve të mëparshme, kur sistemi i përshtati ata me dhënien e parave, duke e bërë një normë të pashkruar. Megjithatë, ndjej se ka ardhur koha që kjo të ndryshojë, dhe mund ta bëjmë këtë vetëm duke ndërprerë këtë zakon të dhënies dhe duke denoncuar ato raste që përfshijnë praktika të tilla.

Reforma në mjekësi, më shumë sesa një çështje legjislacioni, është çështje e qasjes që kemi ndaj këtij profesioni dhe njerëzve që e kryejnë atë. Të gjitha problemet që ndjejmë sot në sistemin e shëndetësisë, qoftë mungesa e shërbimeve cilësore, qoftë qasja e papërshtatshme e disa mjekëve, lidhen edhe me mënyrën se si ne, si shoqëri, e trajtojmë profesionin e tyre. Në fund të fundit, ndryshimi fillon nga ne, nga respekti dhe mbështetja që i japim bluzave të bardha që punojnë për shëndetin tonë, shpesh duke sakrifikuar mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre. Vetëm kur ta kuptojmë këtë dhe të ndryshojmë mënyrën se si i shohim mjekët, mund të themi se kemi nisur një reformë të vërtetë dhe të qëndrueshme në mjekësi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat