Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zhvilluar këtë të premte një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zona të tjera përreth, në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në jug të vendit.
Sipas informacioneve paraprake, në fokus të hetimeve janë punonjës policie, të cilët dyshohet se kanë favorizuar ose kanë lejuar ngritjen e ndërtimeve të paligjshme në zonat bregdetare.
Burime bëjnë me dije se në prangat e AMP-së kanë rënë shefi i Komisariatit të Sarandës, shefi i Krimeve, një specialist i sektorit të krimeve si dhe një efektiv policie.
Hetimet paraprake dyshojnë se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, efektivët kanë pasur rol në mosndalimin apo tolerimin e ndërtimeve pa leje në zonat turistike të jugut.
Operacioni është shtrirë në disa pika të Sarandës dhe Ksamilit, ndërsa po kryhen veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të rastit.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga AMP lidhur me operacionin dhe akuzat konkrete ndaj të arrestuarve, por pritet që në orët në vijim të ketë një njoftim zyrtar mbi rezultatet e aksionit dhe veprat penale për të cilat dyshohen punonjësit e policisë.



