Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, ministrat kanë dalë para mediave për të bërë publike një sërë vendimesh dhe zhvillimesh të rëndësishme ekonomike dhe institucionale.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se projekti për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit ndodhet në fazat përfundimtare të realizimit. Sipas tij, institucioni do të ketë një rol të rëndësishëm në financimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë.
“Patëm një prezantim nga drejtimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Ky institucion është ndërtuar me një kapital prej 100 milionë euro dhe do të ketë kapacitet financimi deri në 1 miliard euro. Ndër sektorët kryesorë që pritet të financohen janë bujqësia, digjitalizimi dhe infrastruktura me rëndësi”, u shpreh Malaj.
Ai shtoi se banka do të fokusohet në financimin e projekteve që nuk kanë akses të lehtë në burime financiare, duke sjellë një model të ngjashëm me praktikat europiane.
“Rrugët ndërtohen nga privati, me financim privat, dhe pas përfundimit të koncesionit i kalojnë shtetit shqiptar. Ky është një model që funksionon në disa vende të Europës dhe ndihmon që fondet publike të orientohen në sektorë të tjerë”, tha ministri.
Pas tij, para gazetarëve u paraqit ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila njoftoi nisjen e një sërë programesh të reja ekonomike dhe sociale.
Ajo bëri të ditur se më 1 korrik do të nisë programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një fond me vlerë 250 milionë euro, i cili synon mbështetjen e bizneseve dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.
“Bizneset do të kenë mundësi të rrisin kapacitetet e tyre. Programi parashikon mbulim deri në 70% të kolateralit dhe interesa të ulëta 2–3%. Synojmë mbështetjen e sektorëve kryesorë me qëllim hyrjen në tregun europian”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja foli gjithashtu për strategjinë e punësimit, duke theksuar se ajo i dedikohet të rinjve dhe të rejave që kërkojnë integrim në tregun e punës, përmes trajnimeve dhe ndërmjetësimit për punësim.
Ajo njoftoi gjithashtu hapjen e programit “Hospitality Albania”, i cili parashikon rikualifikimin dhe menaxhimin e dy vilave qeveritare në Tiranë dhe Vlorë në bashkëpunim me privatët, duke sqaruar se pronësia e tyre mbetet shtetërore.
“Synohet që asetet shtetërore të rikualifikohen dhe të shfrytëzohen në partneritet me privatin, por pronat nuk kalojnë në pronësi private”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj preku edhe procesin e integrimit europian, duke theksuar nevojën për përafrimin e marrëveshjeve tregtare me standardet e Bashkimit Europian, si dhe vijimin e reformave në kuadër të negociatave.
Në fund, ajo komentoi edhe mekanizmin e “bordit të çmimeve”, duke e cilësuar atë si një instrument të përkohshëm dhe të diskutueshëm.
“Është një mekanizëm që si filozofi nuk e përdorim, por në momente të caktuara na është dashur. Formula e tij është shumë strikte dhe kërkon analizë të thelluar për çdo ndryshim të mundshëm. Shpresoj që kriza të përfundojë sa më shpejt, sepse ky rregullim nuk është i preferuar”, tha Ibrahimaj.



