Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar publikisht se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur ngrirjen e fondeve që lidhen me blerjen e tokës në zonën e Zvërnec, ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik të lidhur me investitorë të huaj.
Në një deklaratë për mediat, Rama e ka cilësuar këtë zhvillim si pozitiv, duke theksuar se procesi i verifikimit të origjinës së pronës duhet të kalojë përmes një hetimi të pavarur dhe profesional.
“Unë e konsideroj pozitive që SPAK të mbajë të ngrira fondet, pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor. Kjo është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tani çështja e origjinës së pronës do të mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, vendimi i Prokurorisë së Posaçme do të jetë përcaktues për fatin ligjor të pronës dhe transaksionit financiar, duke sqaruar përfundimisht pretendimet mbi pronësinë e tokës.
“Rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore. Nëse shitësi ka origjinë legjitime të pronës, do të marrë paratë. Nëse nuk e ka, ato do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe do t’i jepen atij që provon origjinën ligjore”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se ky proces do t’i japë fund, sipas tij, çdo pretendimi dhe spekulimi mbi pronësinë e tokës në zonën bregdetare.
“Me këtë mbyllet edhe saga e pretendimeve të pronës, me kurdisje dhe ndërhyrje nga mbrapa”, u shpreh kryeministri.
Deklaratat e tij vijnë në vijim të debatit publik për investimin e planifikuar në Zvërnec, i cili ka ngjallur reagime të shumta politike dhe shoqërore, ndërsa procesi i verifikimit nga SPAK vijon të mbetet në qendër të vëmendjes institucionale.
Projekti i Zvërnecit/ SPAK sekuestron llogaritë e kompanive investuese



