Banorët e fshatit turistik të Thethit kanë bllokuar këtë mëngjes urën hyrëse drejt fshatit, duke penguar kalimin e forcave të Policisë së Shtetit. Veprimi i tyre vjen si reagim ndaj ndërhyrjes së IKMT-së, e cila po zhvillon një tjetër aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë malore.
Banorët protestojnë kundër vendimeve për shembjen e disa strukturave të ndërtuara, sipas tyre, në pronat private dhe me materiale druri.
“Janë shtëpia druri, pa beton, pa asgjë, thjesht druri në tokën time,” shprehet një banor me aftësi të kufizuara, mes lotësh. “Kemi aplikuar për leje por nuk na e japin. Kërkojmë nga shteti që të mos na i prishë, ngelim në rrugë të madhe.”
Për momentin, forcat e policisë nuk mund të hyjnë në fshat për të mbështetur inspektorët e IKMT-së. Tensionet janë të larta, ndërsa komuniteti kërkon që shteti të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të ofrojë zgjidhje ligjore për legalizimin e strukturave që, sipas tyre, nuk dëmtojnë natyrën dhe janë të nevojshme për zhvillimin e turizmit familjar.
Thethi është një nga zonat më të vizituara të Alpeve Shqiptare, por ndërkohë përballet me sfidën e ndërtimeve të paligjshme në mungesë të një plani të qartë zhvillimi.



