Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj biznesmenit Ergys Agasi, duke pretenduar se ai ka pasur ndikim në disa institucione të rëndësishme shtetërore dhe marrëdhënie të afërta me kryeministrin Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Berisha e përshkroi Agasin si një person që, sipas pretendimeve të tij, ka shërbyer si ndërmjetës mes kryeministrit dhe grupeve kriminale.
Këto deklarata janë bërë nga Berisha pa paraqitur prova konkrete që t’i mbështesin ato, ndërsa akuzat mbeten pretendime politike.
Një pjesë e deklaratës së kreut të PD-së lidhej me institucionet që administrojnë të dhëna shtetërore. Berisha pretendoi se përmes marrëdhënieve me drejtues të AKSHI-t, Agasi kishte mundësi të aksesonte të dhëna të qytetarëve shqiptarë, por edhe të shtetasve të huaj që ndodhen në Shqipëri.
Berisha hodhi gjithashtu pretendime për ndikimin e Agasit në strukturat e Ministrisë së Brendshme.
“Nuk mund të them me siguri, por qytetarët dixhitalë më kanë informuar se sipas burimeve të tyre policore, e theksoj, ditën e diel në një lokal të kontrolluar nga karteli në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një takim jo të shkurtër me Gys Agasin”, deklaroi Berisha.
Në vijim, kreu i opozitës ngriti akuza edhe për një ndikim të pretenduar të Agasit në Shërbimin Informativ të Shtetit, duke iu referuar marrëdhënieve të tij me drejtuesen e këtij institucioni. Berisha tha se këtë çështje e kishte denoncuar edhe më herët.
Një tjetër pretendim i fortë i Berishës lidhej me marrëdhënien mes Ergys Agasit dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas kreut të PD-së, Rama është angazhuar personalisht në projektimin dhe arredimin e vilës së Agasit në Durrës.
Pretendimet e bëra nga Berisha vijnë në një kohë kur Ergys Agasi ndodhet nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t. Për akuzat e ngritura nga kreu i PD-së nuk janë paraqitur në këtë deklaratë prova konkrete, ndërsa vërtetësia e tyre mbetet për t’u përcaktuar nga institucionet përgjegjëse.



