back to top
19.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Të hapen mesazhet me Ramën”/ Kryemadhi merr telefonin nga SPAK

“Të hapen mesazhet me Ramën”/ Kryemadhi merr telefonin nga SPAK

Seanca paraprake ndaj ish-deputetes së Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është shoqëruar me tone ironike dhe akuza të forta ndaj SPAK. Që në hyrje të gjykatës, Kryemadhi u shfaq me humor, një qëndrim që e vijoi edhe gjatë seancës, ku kundërshtoi gjetjet e prokurorisë së posaçme.

Duke ironizuar pretendimet e SPAK-ut, ajo deklaroi: “Kur ju pretendoni që babai im ka falsifikuar dokumentet e banesës, unë dilja në protestë për të liruar Fatos Nano dhe më pas dashuroja Ilir Meten”. Me këtë deklaratë, ish-deputetja hodhi poshtë akuzat që lidhen me dokumentacionin e pronës dhe vuri në dyshim kohën dhe rrethanat e pretenduara nga organi i akuzës.

Në fjalën e saj para trupit gjykues, Kryemadhi kundërshtoi gjithashtu ekspertizën financiare të prokurorisë për të ardhurat e çiftit, duke e cilësuar atë të pasaktë dhe të njëanshme. Ajo kërkoi një riekspertim financiar, me argumentin se analiza aktuale nuk pasqyron realitetin e të ardhurave dhe shpenzimeve.

Një tjetër kërkesë e saj kishte të bënte me rikthimin e telefonit të sekuestruar, për të cilin pretendoi se ishte marrë në shkelje të procedurës, pasi në atë kohë ajo ishte deputete dhe gëzonte imunitet. Gjykata e pranoi këtë kërkesë, duke vendosur për kthimin e pajisjes. Ndërkohë, për kërkesat kryesore përfshirë rikthimin e çështjes për hetime të mëtejshme dhe marrjen në pyetje të shtetasit Ardian Shatku si dhe përfaqësuesve të GSI, gjykata njoftoi se do të shprehet më 5 mars.

Gjatë seancës, Kryemadhi kërkoi gjithashtu që të hapen mesazhet dhe komunikimet me kryeministrin Edi Rama, që sipas saj lidhen me ligjin e minierave, duke lënë të kuptohet se këto komunikime mund të hedhin dritë mbi çështjen.

Në të njëjtën linjë me të, edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, ka pretenduar më herët se hetimet janë të montuara dhe me prapavijë politike. “Unë jam këtu për shkaqe politike, për më tepër që nuk ekziston asnjë dokument i firmosur”, është shprehur Meta në parashtrimet e tij disa ditë më parë. Sipas avokatit Cakrani, në dosjen penale nuk ekziston asnjë fakt i provuar që të mbështesë akuzat.

Gjatë ditës u dëgjuan gjithashtu parashtrimet e Pirro Xhixhos, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhit. Nga ana tjetër, SPAK ka kërkuar kalimin për gjykim të çështjes, duke ngritur dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Vendimi përfundimtar i gjykatës për kërkesat procedurale pritet të shpallet në seancën e radhës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat