KreuAktualitetPolitikaTreshja rebele që “theu” Praninë Besnike"

Treshja rebele që “theu” Praninë Besnike”

Rama u kërkoi socialistëve të linin zyrat dhe të dilnin çdo të premte përballë qytetarëve, por që në ditën e parë të “Pranisë Besnike” pati edhe deputetë që nuk zhvilluan takime në terren.

Nisma e re e Edi Ramës nisi të premten, më 4 shtator, në orën 17:00, me deputetët socialistë që u shfaqën në zona të ndryshme të vendit për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve. Takimet, sipas porosisë së kryeministrit, duhet të zhvillohen çdo javë, pa kamera dhe pa e kthyer procesin në aktivitet partiak.

Por, ndërsa një pjesë e grupit parlamentar doli menjëherë në terren, tre emra të njohur të PS-së nuk zhvilluan takime. Bëhet fjalë për deputetët Erion Braçe, Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj.

Braçe hesht për “Praninë Besnike”

Deputeti Erion Braçe nuk e nisi “Praninë Besnike” më 4 shtator. Dhe ende nuk ka një njoftim nga ana e tij se do të zhvillojë takime në kuadër të “Pranisë Besnike”.

Ndërkohë Braçe vijon nga rrjetet e tij sociale të bëjë fushatë për Tiranën, duke raportuar problematikat.

Spiropali pa takim të publikuar

Në listën e deputetëve që nuk u shfaqën në takimet e para është edhe Elisa Spiropali, ish-kryetare e Kuvendit dhe ish-ministre e Jashtme. Edhe Spiropali nuk ka publikuar ende vendin apo aktivitetin e saj në kuadër të “Pranisë Besnike”.

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka sfiduar edhe më herëtr kryeministrin Edi Rama. Kujtojmë se pas debateve të ndodhura në mbledhjen e në grupin parlamentar,me 28 prill 2026,  ku Rama i tërhoqi vëmendje për qëndrimet e saj publike të mbajtura pas shkarkimit si ministre, Spiropali publikisht i kërkon ta përjashtojë, ashtu siç ai e kërcënoi se do të bënte nëse vijonte me të njëjtën linjë kritikash në rrjetet sociale.

Me një status të gjatë, të titulluar “Më përjashto”, Spiropali rreshton argumentet pse mendon se debati dhe kritikat për qeverisjen nuk mund të përballen me kërcënime për mbyllje goje.

Xhafaj injoroi “Praninë Besnike”

Një tjetër emër i njohur që nuk ka njoftuar ende takimin ishte Fatmir Xhafaj.

Pas dorëheqjes së tij si Ministër i Brendshëm, marrëdhënia dhe pozicionimi i tij politik brenda shumicës socialiste është karakterizuar shpesh nga një profil i rezervuar dhe qëndrime autonome si deputet.

Kush zbarkoi në terren?

Anila Denaj zhvilloi takimin me qytetarët në një kafene në Bërzhitë, ndërsa ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zgjodhi një lokal në rrugën “Migjeni”, në Njësinë 11 në Tiranë.

Ogerta Manastirliu zhvilloi takimin në Bibliotekën “Petro Zheji”, në Njësinë 9, ndërsa zv/kryeministrja Albana Koçiu zgjodhi Sheshin Garibaldi në Kombinat. Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja u takua me qytetarët në një bar-kafe në Mëzez. Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ishte në Kavajë.

Edhe në qarqet e tjera u raportuan takime. Në Korçë, për shembull, deputetët zhvilluan dëgjesa në Drenovë, Rajonin 2, Miras, Pogradec dhe Qendër-Bulgarec, ku banorët ngritën shqetësime për bujqësinë, ujin e pijshëm dhe rrugët rurale.

Çfarë kërkoi Rama?

Rama e ka përcaktuar “Praninë Besnike” si një takim të përjavshëm me qytetarët, çdo të premte në orën 17:00. Sipas tij, deputeti duhet të dëgjojë problemet, t’i mbajë shënim dhe më pas t’i ndjekë përmes institucioneve.

Kryeministri ka kërkuar gjithashtu që takimet të mos kthehen në mbledhje partie dhe që deputetët të mos përdorin funksionin e tyre për ndërhyrje informale.

“Deputeti nuk është sekser i hallit të qytetarit”, ka deklaruar Rama, duke kërkuar që problematikat të trajtohen përmes rrugëve institucionale.

Nisma do të testohet çdo të premte dhe mbetet për t’u parë nëse javët e ardhshme do ta sjellin në terren të gjithë grupin parlamentar socialist.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat