Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka diskutuar ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës në ligjin “Për Librin”, duke përfshirë një reformë të rëndësishme fiskale dhe digjitale.
Ndër ndryshimet kryesore është heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për librat, përfshirë edhe librat elektronikë. Zv/ministrja e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Lira Pipa, bëri me dije se lidhur me këtë çështje do të krijohet një grup pune i përbashkët me Ministrinë e Financave, me qëllim zbatimin e reformës.
Përveç lehtësimit fiskal, ndryshimet synojnë digjitalizimin e librave, garantimin e një fondi të qëndrueshëm për pasurimin e bibliotekave dhe përmirësimin e aksesit për qytetarët në të gjithë vendin.
Zv/ministrja Pipa theksoi rëndësinë e këtyre ndryshimeve për të nxitur leximin, për të mbështetur autorët dhe botuesit shqiptarë, si dhe për të modernizuar bibliotekat me teknologji digjitale.
Ndërhyrjet e propozuara synojnë gjithashtu që të përforcojnë infrastrukturën kulturore dhe të rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve në aktivitetet letrare dhe edukative, duke përfshirë edhe fëmijët dhe të rinjtë.



