KreuAktualitetEkonomiaNafta shkon 206 lekë, litri/ Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimet...

Nafta shkon 206 lekë, litri/ Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimet në Shqipëri

Çmimi i naftës në Shqipëri ka pësuar një tjetër rritje, duke arritur në 206 lekë për litër, pas luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Rritja vjen pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, situatë që ka ndikuar drejtpërdrejt në bursat globale të naftës.

Pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës më 19 qershor, çmimi i naftës kishte zbritur deri në rreth 176 lekë për litër. Por gjatë ditëve të fundit, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar edhe në Shqipëri, ku nafta u shit me 196 lekë për litër më 20 korrik dhe më pas arriti në 206 lekë këtë të mërkurë.

Sipas të dhënave nga tregu, rritja lidhet edhe me çmimet e bursës Platts të Mesdheut, referencë për importuesit shqiptarë. Nafta është importuar më 14 korrik me rreth 1206 dollarë për ton, ndërsa më 21 korrik çmimi ka shkuar në 1274 dollarë për ton pas zhdoganimit. Ndërkohë, nafta Brent në bursat ndërkombëtare ka arritur nivele deri në 94 dollarë për fuçi.

Rritja e karburanteve ka shqetësuar edhe sektorin e transportit. Shoqata e Transportit Ndërqytetas ka bërë të ditur se do të kërkojë mbështetje për përballimin e kostove të larta. Gjatë viteve të mëparshme, qeveria ka subvencionuar operatorët e transportit qytetas dhe ndërqytetas me 50 lekë për litër karburant.

Shtrenjtimi i naftës po ndihet edhe në vendet e rajonit. Serbia ka rikthyer masat mbështetëse duke vendosur kufizime për çmimet e karburanteve, pas rritjes së tyre deri në 1.87 euro për litër. Ndërsa Mali i Zi ka ulur përkohësisht akcizën, duke mbajtur çmimin e naftës në rreth 1.65 euro për litër.

Sipas operatorëve të tregut, Shqipëria vijon të ketë ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon, ku një ndikim të rëndësishëm kanë barrat fiskale. Një prej elementëve që ndikon në çmimin final është taksa prej 27 lekësh për litër.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat