KreuAktualitetPolitikaLista e zezë në TIMS dhe kufizime udhëtimi, për protestuesit/ 5 masat...

Lista e zezë në TIMS dhe kufizime udhëtimi, për protestuesit/ 5 masat që po përgatit qeveria

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Qeveria po përgatit një paketë masash për të ndëshkuar personat që kryejnë akte dhune gjatë protestave, sulmojnë policinë apo shkatërrojnë pronën publike dhe private. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se masat do të përfshijnë kufizime në udhëtim, sanksione në arsim dhe përdorimin e teknologjisë për identifikimin e personave të përfshirë në dhunë.

Sipas propozimeve që po shqyrton qeveria, do të krijohet një regjistër i posaçëm për personat e identifikuar si të përfshirë në akte të dhunshme. Në diskutim është edhe krijimi i një liste të zezë në sistemin TIMS, si dhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian për kufizimin e hyrjes së tyre në këto shtete.

Paketa parashikon gjithashtu shqyrtimin e kufizimeve për aksesin në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti. Megjithatë, mbetet për t’u parë se cilat prej këtyre propozimeve do të përfshihen në paketën përfundimtare dhe si do të zbatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Rama: Do të identifikojmë edhe protestuesit e maskuar

Një tjetër pjesë e planit lidhet me identifikimin e protestuesve që mbulojnë fytyrën, si dhe të personave që, përmes profileve anonime në rrjetet sociale, nxisin akte dhune.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar investime në teknologji për të identifikuar personat e maskuar dhe për të zbuluar autorët e profileve që, sipas tij, nxisin dhunën.

“Ne jo vetëm do të nxjerrim një orë më parë paketën e masave, por duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do të fillojmë deanonimizimin e profileve që nxisin dhunë”, u shpreh Rama, duke paralajmëruar se autoritetet do të përdorin teknologjinë për të identifikuar edhe personat që mbulojnë plotësisht fytyrën.

Qeveria synon gjithashtu të ndalojë me ligj pjesëmarrjen në protesta me fytyrën e mbuluar. Deri në miratimin e një mase të tillë, mbetet e paqartë se si do të përcaktohen kufijtë mes maskimit për kryerjen e akteve të dhunshme dhe mbulimit të fytyrës për arsye të tjera.

Masa për prindërit, nxënësit dhe studentët

Propozimet e qeverisë përfshijnë edhe përgjegjësinë e prindërve për dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e tyre të mitur gjatë protestave. Në shqyrtim është edhe mundësia e kufizimit të disa shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që shkatërrojnë pronën e të tjerëve.

Një tjetër çështje që pritet të diskutohet është ulja e moshës së përgjegjësisë penale, e cila aktualisht është 14 vjeç.

Në arsim, qeveria po shqyrton heqjen e bursave dhe të mbështetjes financiare shtetërore për studentët e përfshirë në akte dhune ndaj policisë. Për nxënësit që braktisin mësimin për t’u përfshirë në protesta të dhunshme parashikohen masa administrative, ndërsa mësuesit që nxisin nxënësit drejt dhunës mund të përballen me largimin nga sistemi arsimor.

Krahas këtyre propozimeve, Rama ka bërë të ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Paketa e paralajmëruar synon të përfshijë masa në disa fusha, nga siguria publike dhe përgjegjësia për dëmet materiale, te arsimi dhe përdorimi i teknologjisë. Për momentin, bëhet fjalë për masa të paralajmëruara ose në shqyrtim dhe jo për një paketë të miratuar në tërësi.

Mbetet për t’u parë se cilat propozime do të konkretizohen në ndryshime ligjore dhe çfarë garancish do të parashikohen për zbatimin e tyre, veçanërisht për masat që prekin lirinë e lëvizjes, të drejtat e të miturve dhe përdorimin e të dhënave personale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat