back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 4 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaKosovë, autoritetet mbyllin institucionet paralele të Serbisë

Kosovë, autoritetet mbyllin institucionet paralele të Serbisë

Autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën se kanë mbyllur të gjitha institucionet paralele të Serbisë që kanë vepruar në territorin e vendit.

Sipas autoriteteve, gjatë një operacioni janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.

Ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se nga sot mbyllet kapitulli i institucioneve paralele. “Në Banjë e gjithandej në të gjitha pjesët tjera të Republikës së Kosovës objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, tha në një postim në rrjetet sociale.

“Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, tha ndërkaq ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi.

Novak Zhiviç, i emëruar nga Beogradi si kryetar i autoritetit të përkohshëm të qytetit të Prishtinës, tha se në praninë e misioneve ndërkombëtare sot është ushtruar trysni ndaj popullit serb.

“Ata kanë dalë të na kapin, duan të na fusin frikën, ta dëbojnë këtë popull. Sot kanë ardhur dhe kanë mbyllur autoritetin e. përkohshëm të qytetit të Prishtinës. (Albin) Kurti këtë po e bën në mes të fushatës elektorale, për të marrë disa pikë politike, ashtu si ndjekësit e tij. Ky është një turp i madh për komunitetin ndërkombëtar, për Bashkimin Evropian”, tha ai.

Beogradi reagoi me zemërim ndaj mbylljes së institucioneve paralele.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç tha se veprimet e sotme të bashkërenduara nga qeveria e (Albin) Kurtit, shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm. Ai shkroi në rrjetet sociale se këto veprime nuk janë vetëm një sulm ndaj institucioneve, por një përpjekje e hapur për të dëmtuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë.

Zoti Gjuriç tha se këto janë veprime elektorale të Albin Kurtit, i cili sipas tij, po shpërfill të drejtat e njeriut duke shkelur marrëveshjet që kishin për qëllim mbrojtjen e paqes dhe bashkëjetesës. Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të mos heshtë.

Kryenegociatori i Serbisë për bisedimet me Kosovë Petar Petkoviç i cili ndodhet në Bruksel në kuadër të një takimi për inaugurimin e Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur tha se (Albin) Kurti dhe Prishtina kanë zgjedhur rrugën e dhunës dhe veprimeve të njëanshme. “Ky lloj terrori vë në pikëpyetje vetë dialogun. Është e qartë se për këtë nuk është i vetmi fajtor Kurti. Përgjegjësia është edhe e Bashkimit Evropian”, shkroi ai.

Përgjatë vitit që lamë pas autoritetet e Kosovës mbyllën një numër institucionesh paralele në veriun e vendit, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme dhe të cilat është paraparë të mbyllen me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi./VOA

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat