Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke shprehur rezerva për mënyrën se si po funksionon demokracia e brendshme në parti.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Braçe u shpreh se Veliaj ka nevojë për kujdes mjekësor dhe se kjo e drejtë nuk duhet t’i mohohet askujt.
“Mendoj se Veliaj ka nevojë për shërbim akut shëndetësor dhe nuk mund t’i mohohet askujt”, deklaroi deputeti socialist.
Braçe u ndal edhe te mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke pranuar se nuk ishte dakord me atë që ndodhi, si gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, ashtu edhe në pjesën publike të takimit.
Sipas tij, një nga problemet që duhet të zgjidhet brenda Partisë Socialiste është mungesa e demokracisë në vendimmarrje. Braçe kërkoi që anëtarët e partisë të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes votës dhe jo thjesht të njoftohen për vendimet e marra në emër të tyre.
“Kemi pasur probleme kohë pas kohe brenda PS-së me kulturën demokratike, por kjo kurohet, se na kushton më pak kurimi i të qejfmbeturve nga gara sesa mohimi i të gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë”, u shpreh ai.
I pyetur për qëndrimet e Elisa Spiropalit, Braçe tha se ajo ka të drejtë të shprehë mendimet e saj, por nënvizoi se anëtarësimi në forumet drejtuese të një partie shoqërohet edhe me detyrimin për të respektuar disiplinën partiake.
“Në momentin që je brenda forumeve të çdo partie, një pjesë e lirisë tënde humbet, se i nënshtrohesh disiplinës partiake”, deklaroi Braçe.
Megjithatë, deputeti u shpreh kundër përjashtimeve nga partia, përveç rasteve kur ato janë të justifikuara.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte drejtimi i Partisë Socialiste dhe mundësia e zëvendësimit të Edi Ramës në krye të saj. Braçe u përgjigj se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
“Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?”, tha ai.
Braçe kundërshtoi gjithashtu idenë e një trashëgimtari në drejtimin e PS-së, duke kujtuar procesin e zgjedhjes së kryetarit në vitin 2005.
“Në 2005 ne nuk zgjodhëm trashëgimtar, por zgjodhëm më të mirin mes nesh me votë dhe na shkoi mbarë”, u shpreh deputeti.
Në përfundim, Braçe pranoi se nuk është i kënaqur me situatën aktuale në Partinë Socialiste, por theksoi se ndryshimet duhet të bëhen duke i mbajtur socialistët brenda partisë dhe jo duke i larguar ata.
“Prandaj i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë”, përfundoi Braçe.



