Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ka reaguar pas akuzave publike të deputetes socialiste Elisa Spiropali, e cila e akuzoi se është emëruar nga Belinda Balluku dhe po sulmon bizneset e familjes së saj.
Binaj i ka hedhur poshtë pretendimet për lidhje me Ballukun, duke deklaruar se që nga momenti kur është thirrur për të marrë detyrën, më 23 shtator 2024, nuk është takuar asnjëherë personalisht me të, përveç rasteve të takimeve publike për shkak të funksionit.
Në reagimin e tij, kreu i Tatimeve thotë se është kthyer nga SHBA-ja për t’i shërbyer vendit, pas një karriere në fushën e auditimit financiar, ndërsa akuzat e Spiropalit i cilëson si sulme ndaj tij, të cilat nuk ndodhin për herë të parë.
Por Binaj e zhvendos përplasjen te kontrollet tatimore ndaj bizneseve të lidhura me deputeten socialiste dhe bashkëshortin e saj, duke pretenduar se administrata që drejton është përballur me presion dhe intimidim për shkak të verifikimeve të kryera.
Sipas tij, kontrollet në sektorin e ndërtimit janë zhvilluar në kuadër të planeve strategjike dhe operacionale të Administratës Tatimore, bazuar në analizën e riskut dhe denoncimet e qytetarëve. Në këtë proces janë përfshirë edhe subjekte që lidhen me Spiropalin.
Binaj pretendon se rezultatet e kontrolleve kanë shkaktuar pakënaqësi te deputetja dhe bashkëshorti i saj, duke bërë akuza të rënda për kërcënime ndaj inspektorëve tatimorë dhe familjeve të tyre.
“Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese”, deklaron Binaj.
Drejtori i Tatimeve bën të ditur se kontrollet kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor në përmasa të mëdha. Për këtë arsye, dosjet e subjekteve të kontrolluara po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.
Ai thekson se procedurat janë ndjekur sipas rregullave të zbatueshme për të gjithë tatimpaguesit e dyshuar, duke mohuar se kontrollet kanë karakter diskriminues apo janë ndërmarrë për arsye politike.
Në fund të reagimit, Binaj i kërkon Spiropalit të mos e përmendë më emrin e tij, duke deklaruar se nuk merret me politikë dhe nuk lejon që dinjiteti i tij apo i familjes të cenohet për shkak të detyrës.
“Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore”, përfundon reagimi i drejtorit të Tatimeve.



